LAJMI I FUNDIT:

Si të kujdesemi për shëndetin oral gjatë pandemisë së coronavirusit?

Si të kujdesemi për shëndetin oral gjatë pandemisë së coronavirusit?
Ass.Dr.Sci. Visar Disha

COVID-19 sulmon rrugët e frymëmarrjes dhe mund të transmetohet nga spërklat e nxjerra përmes hundës ose gojës kur individi kollitet ose teshtitë. Poashtu, mund të transmetohet edhe në mënyrë indirekte përmes kontaktit të duarve ose mukozave me sipërfaqet e kontaminuara

Ass.Dr.Sci. Visar Disha
Protetikë stomatologjike
Tel +383 44 559 287


Higjiena e mirë dentare mund të mos jetë në planin e mendjes tuaj në mes të pandemisë COVID-19. Mirëpo, kjo mund të ndryshojë shumë shpejt nëse fillon një dhimbje e dhëmbit dhe ju nuk mund të shkoni te stomatologu.

Urgjencat dentare zakonisht vijnë si pasojë e prishjes së dhëmbit që pastaj mundësojnë bakteret të depërtojnë në indet e buta që janë brenda dhëmbit duke shkaktuar infeksion, gjë që rezulton në atë që ne e quajmë absces. Urgjencat dentare mund të shmangen nëse thjesht kujdeseni çdo ditë për dhëmbët.

Mbajtja e një higjiene të mirë orale mund të zvogëlojë sëmundjet e dhëmbit, sëmundjet parodontale dhe të ndikojë pozitivisht në shëndetin tuaj të përgjithshëm.

Gjatë një pandemie, synimi është të forcohet sistemi imunitar. Një gojë e shëndetshme i mundëson sistemit imunitar të trupit të luftojë shkaktarët tjerë patogjen.

Qëllimi kryesor është shumë i thjeshtë: kontrolli i pllakut dental.

Disa këshilla për shëndet të mirë oral

Ne dëshirojmë që pacientët tanë të vazhdojnë t’i japin përparësi mbajtjes së shëndetit të tyre oral edhe gjatë kësaj kohe të pandemisë së COVID 19.

Mos lejoni që stresi të ndikojë në shëndetin tuaj dentar.

Këtu janë disa këshilla të thjeshta që mund të bëni në shtëpi për të parandaluar shqetësimet e ardhshme dentare:

• Mbani një higjenë të mirë orale

Pastroni dhëmbët rregullisht ( së paku dy herë në ditë), në mënyrë që të parandaloni prishjen e tyre.

Sigurohuni që t’i lani dhëmbët me lëvizje rrethore dhe ta përfshini butësisht mishin e dhëmbëve. Mos harroni t’i lani dhëmbët para gjumit.

• Mos e kontaminoni pastën e dhëmbëve

Nëse ndani një pastë të dhëmbëve me dikë tjetër, mos prekni majën e tubit të pastës së dhëmbëve me brushën e dhëmbëve.

Asnjëherë mos e përdorni një brushë dhëmbësh të tjetër kujt. Të rriturit e kuptojnë këtë, por fëmijët ndonjëherë mund të përdorin brushën e prindit gabimisht.

Një strategji për të shmangur këtë është ndarja e brushave të dhëmbëve me ngjyra, ashtuqë secili anëtar i familjes e dinë ngjyrën e vet.

• Lani duart para se të përdorni perin dental

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandon larjen e duarve të paktën 20 sekonda me sapun dhe ujë, ose përdorimin e një dezinfektuesi të duarve që përmban të paktën 60 përqind alkool.

• Mundohuni të mbani një dietë të shëndetshme

Ëmbëlsirat mundohuni t’i konsumoni gjatë vakteve kryesore të ushqimit. Pijet me sheqer dhe pijet e gazuara e rrisin aciditetin në gojë, që e ulin nivelin e pH-së dhe kjo e bënë smaltin e dhëmbëve më të prirur për t’u tretur.

Shpëlajeni gojën me ujë pasi të konsumoni pije me sheqer apo pije të gazuara duke ndihmuar në ribalancimin e pH-së të gojës tuaj.

Shmangni ushqime të forta që mund të dëmtojnë dhëmbin ose të dëmtojnë mbushjen e dhëmbit.
Shmangni konsumimin e ushqimit ose pijeve që janë shumë të nxehta ose shumë të ftohta nëse i keni dhëmbët e ndjeshëm në mënyrë që dhimbja të mos përkeqësohet.

• Higjiena e protezave dentare

Mos flini me proteza. Hiqeni protezën tuaj nga goja gjatë natës në mënyrë që mishi i dhëmbëve dhe mukoza orale të kenë mundësinë të pushojnë.

Pastroni të gjitha sipërfaqet e protezës tuaj me një brushë të butë dhe sapun të lëngshëm dore nën ujë të rrjedhshëm.

Mos përdorni pastë dhëmbësh pasi ajo mund të gërryej sipërfaqen e protezës.

Përdorni tableta për pastrimin e protezave një deri dy herë në javë. Hidheni një tabletë në ujë (mjaftueshëm për të mbuluar protezën tuaj) dhe lini ato të paktën 3 minuta ose gjatë tërë natës. Mos harroni t’i shpërlani protezat tuaja nën ujë të rrjedhshëm para se t’i vendosni përsëri në gojë.

Nëse përdorni ngjitës (adeziv) për proteza, sigurohuni që proteza të pastrohet plotësisht nga ngjitësi çdo natë.

• Rriteni konsumimin e lëngjeve

Sigurohuni të konsumoni sa më shume lëngje ndërsa jeni në karantinë. Kjo është thelbësore për ruajtjen e shëndetit tuaj oral dhe të përgjithshëm. Uji duhet të jetë gjithnjë zgjedhja numër një për hidratim.

Trupi juaj mund të jetë më i prirur për të humbur lëngje kur lufton një infeksion, gjë që rrit rrezikun për t’u dehidruar ose për të pasur një gojë të thatë. Ulja e nivelit të pështymës (cila i mban nën kontroll bakteret në gojën tuaj) e rrit rrezikun e prishjes së dhëmbëve dhe shfaqjes së gingivitëve.

• Pasojat e duhanit dhe alkoolit në shëndetin oral

Konsumimi i tepërt i duhanit dhe alkoolit ka pasoja të dëmshme për shëndetin oral. Pirja e duhanit pengon furnizimin me gjak të mishit të dhëmbëve duke rritur rrezikun për infeksione të mishit të dhëmbëve.

Ekspozimi i lartë ndaj alkoolit mund të thajë mukozën e faqeve dhe të mishit të dhëmbëve.

• Kujdesuni për brushën tuaj të dhëmbëve

Mbani gjësendet për mirëmbajtjen e higjienës orale (brushat, pastën e dhëmbëve, perin dental) larg tualetit, apo mbani ato të mbyllura nëpër kuti.

Rekomandohet që pas tualetit të ulim kapakun e guacës përpara se ta lëshojmë ujin për të eliminuar në këtë mënyrë përhapjen e aerosoleve fekale.

Pas tualetit pastroni mirë duart me sapun dhe ujë dhe i dezinfektoni.

Ju rekomandoj:

Mbani higjienën personale, kujdesuni për shëndetin tuaj oral, mbani distancën sociale, qëndroni në shtëpi . Ndiqni rekomandimet e MSh, IKSHPK-së.

Bashkë do t’ia dalim! /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori