LAJMI I FUNDIT:

Si ta shndërrojmë frikën në forcë?

Si ta shndërrojmë frikën në forcë?

Ndërkohë që shumica prej nesh jemi në karantinë, për t’u mbrojtur pra nga koronavirusi, kjo është një mundësi e shkëlqyer që të punojmë për ta bërë një version më të mirë të vetvetes. E, kur e gjitha të mbarojë, që t’ia dalim ta mposhtim frikën dhe, me anë të disa teknikave të thjeshta, ta shndërrojmë atë në forcën që na ndihmon të arrijmë suksesin që e duam apo e meritojmë. Në videon time të fundit kam thënë se frika është emocion, kurse guximi është aftësi. Nëse guximi është aftësi, atëherë si ta përdorim këtë aftësi dhe si ta shndërrojmë frikën në forcë?

A keni menduar, ndonjëherë, se çfarë ju ndalon të arrini aty ku doni të jeni apo ta keni atë që doni? A keni menduar se cili është qëllimi juaj më i madh në jetë? Dhe, çfarë ju pengon ta arrini atë? Pra, e pyesim veten se cila frikë po më ndalon? Cila është më e madhja? Dhe, cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhë, nëse frika ime më e madhe bëhet realitet? Duke ia shtruar vetes këto pyetje, e njohim problematikën më mirë, nuk kemi të panjohura dhe nuk kemi arsye të kemi frikë.


Kur kemi frikë që ta bëjmë një investim apo ta nisim një biznes, përgjigjet zakonisht janë: më mungojnë paratë, nuk e kam përgatitjen e duhur ose arsyetime të tjera që në fakt si burim e kanë frikën. Ajo që kam mësuar ndër vite, nga shkollimi im dhe nga eksperiencat e mia si ndërmarrës, është se të gjitha këto mund të jenë faktorë që mund të ndikojnë negativisht në suksesin tonë. Është kjo frika, një frikë e pavetëdijshme nga dështimi, nga refuzimi ose nga humbja. Nëse për biznes thuhet se gjëja më e keqe që mund të ndodhë (nëse dështoni), është që t’i humbni të gjitha paratë, atëherë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që ta minimizojmë këtë humbje.

Është më e lehtë të dështosh sesa të jesh i suksesshëm. Besoj se të gjithë pajtohemi se më e lehtë dhe më tërheqëse është ta shohim një lojë futbolli, sesa ta lexojmë një libër për të menduarit pozitiv apo një libër për sukses personal. Por, kjo nuk na ndihmon ta arrijmë suksesin dhe jetën që duam. Frika duhet të njihet dhe të menaxhohet, e jo të bëhet pengesë. Ne mund të bëhemi të pavendosur, të kemi dyshime në vetveten ose thjesht të mos veprojmë. Frika mund të na frenojë të mos vazhdojmë me një koncept apo me një ide të shkëlqyeshme, ose të na kufizojë nga përdorimi i talentit tonë të vërtetë.

Por, sikur të kishte një mënyrë për ta kthyer frikën në forcë?

Në vend se të themi “nuk mundem”, e pyesim veten “si mundem?” ose se “cila është mënyra më e mirë për ta arritur atë?” Në vend se të themi “nuk duhet ta bëj këtë”, themi “çka edhe nëse humbas?” Ndryshojini fjalët “çfarë nëse nuk funksionon?” me “imagjino sa fantastike do të jetë kur të funksionojë.”

Fillimisht duhet të kuptojmë këtë: mendimet negative e ushqejnë frikën tek ne. Ndaj, duhet të jemi të kujdesshëm se si i procesojmë mendimet tona. Në vend se t’i lejojmë mendimet negative të ndikojnë në aspektin emocional, deri në pikën e pavendosmërisë ose të mosveprimit, e shtyjmë trurin tonë logjik të funksionojë në favorin tonë, t’i kthejmë të gjithat në mendime pozitive dhe, si rrjedhojë, e shndërrojmë frikën në forcë. Duhet të mësohemi ta mundim frikën dhe të dalim nga zona e komforit. Ndërmarrësi dhe autori amerikan Jim Rohn, për ka një thënie: dallimi i vetëm i zonës së komfortit dhe varrit është thellësia!

Sekreti i gjithë kësaj është: si do ta përdorim trurin tonë? Si do t’i përdorim fjalët dhe cilën pikëpamje do ta zgjedhim. Mund të jemi edhe më specifik me fjalët, p.sh. se “cilat janë pesë mënyrat më të mira për të mbledhur fonde për projektin tim?”, dhe t’i shkruajmë përgjigjet në letër. Ose, “kush janë pesë personat që i njoh e që mund të më ndihmojnë me projektin tim?” Pra, të përpiqemi ta detyrojmë trurin tonë t’i shtrijë mendimet dhe imagjinatën se “cilat janë tri deri në pesë mënyrat sesi jeta ime do të jetë më e mirë kur ta realizoj këtë projekt?”

Kur vendosni që truri juaj të punojë me detyrat pozitive, nuk ka vend për të menduar negativisht. E, kjo kthehet në forcë. Shndërrimi i frikës në entuziazëm është teknikë tjetër, për ta përdorur si forcë drejt suksesit tonë. Mendoni për kohët kur e keni ndërmarrë një veprim dhe keni qenë të suksesshëm. Kujtohuni se si ndjehej fitorja dhe se sa e dobishme ishte e arritja e atij qëllimi.

Padyshim që këto mendime pozitive na sjellim shumë entuziazëm dhe nuk ka forcë që mund të na ndalë t’i arrijmë ëndrrat e qëllimet tona.

(Për më shumë, autorin e këtij shkrimi mund ta ndiqni në: Facebook, Instagram, YouTube dhe faqen ardianhoxha.com)