LAJMI I FUNDIT:

Si pritet të shkojë procesi i regjistrimit të popullsisë në veri?

Si pritet të shkojë procesi i regjistrimit të popullsisë në veri?
Foto: Arkiv

Shumica e qytetarëve serbë nga veriu i vendit janë shprehur kundër pjesëmarrjes në procesin e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet në Kosovë nga 5 prilli deri më 17 maj 2024.

Ekipi i KosovaPress-it, ka provuar të bisedojë me qytetarët serbë rreth kësaj teme, por të pakët ishin ata që u përgjigjën, sepse pjesa dërmuese e tyre nuk pranuan të flasin publikisht, ndërsa prapa kamerës kanë shprehur mendime të ndryshme, si ‘Nuk dua të regjistrohem tek shqiptarët’, ‘Do të marrë pjesë në regjistrimin e organizuar nga Serbia’, ‘Nuk dua t’ia bëj qejfin Kurtit’ dhe të ngjashme.


Nenad Trifunoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, tha se popullata e kësaj pjese ka mosbesim të madh ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, andaj dyshon se do të ketë fare regjistrim të popullsisë në veri.

Sipas tij, një proces i tillë mund të mbahet kur të arrihet një marrëveshje politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndonëse u shpreh skeptik edhe për këtë çështje.

‘Pyetja e vërtetë është nëse do të ketë fare regjistrim të popullsisë në veri të Kosovës. Është mosbesim i madh ndaj pushtetit në Prishtinë, sepse masat të cilat i kanë ndërmarrë muajt e fundit në veri, kanë shkaktuar mosbesim jashtëzakonisht të madh dhe unë nuk besoj në këtë regjistrim dhe mendoj se ky është mendim i të gjithë qytetarëve në katër komunat me shumicë serbe … Do të mbetet për një kohë tjetër, me siguri deri të arrihet një marrëveshje politike, nëse fare do të ketë marrëveshje’, ka thënë Trifunoviq.

Edhe Darko Popoviq, një qytetar tjetër nga kjo pjesë e qytetit të Mitrovicës, u shpreh kundër pjesëmarrjes së tij në këtë proces, madje edhe nëse dënohet me gjobë.

‘Nuk e di akoma saktë, por nuk besoj… Për çka të dënohem, nëse nuk marr pjesë, jo jo, nuk besoj’, tha ai.

Ndërkaq, analisti nga veriu Branisllav Kërstiq, bëri të ditur për KosovaPress, se shumica e serbëve ndodhen pothuajse në një gjendje të letargjisë dhe të depresionit kolektiv.

Duke qenë të vetëdijshëm për dënimet, ai shtoi se procesit nuk do t’i përgjigjen shumica, përveç atyre të cilët nuk kanë prona në Serbi, si dhe atyre të cilët janë të gatshëm të jetojnë në shtetin e Kosovës.

‘Shumica e serbëve janë në një gjendje letargjike dhe të një depresioni kolektiv… Jam i sigurt se tash për tash procesit do t’i përgjigjen vetëm ata të cilët nuk kanë pronë në Serbi, si dhe ata të cilët janë të gatshëm të vazhdojnë me jetuar në shtetin e Kosovës… Edhe pse e dinë që shteti do t’i dënojë ata të cilët do të refuzojnë pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë, shumica nga ta nuk janë aspak të interesuar (për t’ju përgjigjur regjistrimit)’, theksoi Kërstiq.

Në anën tjetër, Hazbije Qeriqi, zëdhënëse në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), i ka thënë KosovaPress-it, përmes telefonit se nuk ka ndonjë indikacion, të paktën deri tani, se procesi mund të dështojë.

Sipas saj, të gjitha përgatitjet në mbarë vendin, duke përfshirë edhe veriun, janë duke shkuar sipas planit dhe pa ndonjë problem.

Ajo potencoi numrin e konsiderueshëm të qytetarëve serbë të cilët kanë shprehur interesim për t’iu bashkangjitur ekipeve të ASK-së në këtë proces.

‘Të gjitha përgatitjet në mbarë territorin e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe veriun, janë duke shkuar sipas planit dhe nuk kemi ndonjë problem. Kemi po ashtu numër të konsiderueshëm të qytetarëve serbë të cilët kanë aplikuar për t’ju bashkangjitur ekipeve tona në këtë proces. Nuk ka ndonjë indikacion, të paktën deri tani, se procesi mund të dështojë në veri të vendit. Rezultatet preliminare do të shpallen pas tre muajsh, ndërsa përfundimtare deri në fund të vitit’, sqaroi Qeriqi.

Ndryshe, regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi në atë kohë ata kishin refuzuar procesin. /KP/

Në trend Lajme

Më shumë
“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

Lajme
Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

Drejtësi
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

Lajme
Kalo në kategori