Burimi: The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Tmerret e Gazës më në fund kanë filluar të përndjekin politikanët e botës. Qeveria britanike dje u kap pas talismanit të njohjes së shtetit palestinez, pa shpjeguar se si kjo mund ta ndalojë dhunën.


Në skenë hyjnë Katari, Arabia Saudite dhe Egjipti - tri vende arabe që i kanë kërkuar Hamasit të lirojë pengjet e mbetura izraelite, të dorëzojë armët dhe të ndalojë qeverisjen e Gazës për hir të mundësisë së krijimit të një shteti palestinez dhe të arritjes së një zgjidhjeje me dy shtete.

Të mos kemi shumë shpresa. Tri shtetet arabe i janë bashkuar edhe 14 vendeve të tjera në një konferencë treditore në Kombet e Bashkuara, duke nënshkruar një nismë franceze që kërkon gjithashtu nga Izraeli të pranojë armëpushimin, të heqë bllokadën dhe të njohë shtetin palestinez në “të gjitha tokat arabe të pushtuara” - një pikë që me siguri do të refuzohet nga qeveria aktuale izraelite, pasi do të nënkuptonte tërheqjen nga Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor ku banojnë shumë kolonë hebrenj.

Por, fakti që bota arabe për herë të parë e vë në pikëpyetje të ardhmen e vetë Hamasit, ky është një zhvillim që mund të ndryshojë rrënjësisht lojën në Lindjen e Mesme. Është padyshim një goditje fatale për këtë grup terrorist.

Marrëveshjet e Abrahamit të presidentit Trump, të nënshkruara në fund të mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, synonin të izolonin Hamasin duke tërhequr shtetet arabe drejt njohjes reciproke me Izraelin, në këmbim të një rrjeti të marrëveshjeve tregtare dhe të garancive të sigurisë kundër armikut të përbashkët - Iranit.

Megjithatë, Arabia Saudite ishte treguar e kujdesshme në hapjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin edhe para ngjarjeve të 7 tetorit 2023 që këtë e bënë të pamundur. Sulmi i Hamasit atë ditë ka synuar të vriste çdo mundësi afrimi saudito-izraelit, duke provokuar një reagim të ashpër nga Izraeli që do të trondiste opinionin mysliman. Bombardimet dhe bllokadat izraelite e arritën këtë efekt - megjithëse më pak te regjimet arabe.

Egjipti ka qenë prej kohësh thellësisht armiqësor ndaj Hamasit. Në vitin 2013, kur gjenerali Abdel Fattah el-Sisi përmbysi presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Egjiptit, Mohammed Morsi, ai erdhi në pushtet mbi kufomat e qindra anëtarëve të Vëllazërisë Myslimane - një grup i lidhur me Hamasin.

Katari ka qenë monarkia e pazakontë. Prej dekadash ka strehuar udhëheqësit e mërguar të Hamasit në Doha, ndërsa pasuria energjetike e Katarit ka subvencionuar Gazën kur Hamasi mori pushtetin atje pas vitit 2006 - pasi shtetet e tjera të pasura me naftë të Gjirit e tërhoqën ndihmën. Në vitin 2017, princi i kurorës së Arabisë Saudite udhëhoqi aleatët e tij dhe Egjiptin në një bllokadë ndaj Katarit si “sponsor i terrorizmit” - ku në mënyrë të veçantë nënkuptohej Hamasi.

Deri më tani, sundimtari absolut i Katarit ka vepruar si ndërmjetës mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Hamasit. Kthesa e Katarit do të ushtrojë presion real mbi Hamasin, i cili është i rrënuar, por jo i nënshtruar nga kundërsulmi i Izraelit pas sulmeve të 7 tetorit.

Pra, si mund të duket marrëveshja për dorëzimin e Hamasin? Katër dekadat e fundit të historisë së Lindjes së Mesme mund të ofrojnë - deri diku - një përgjigje.

Në vitin 1984, lufta e përgjakshme në Liban e cila filloi kur Izraeli pushtoi vendin për të ndalur sulmet përtej kufirit nga Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO), përfundoi kur Izraeli pranoi që PLO-ja të internohej në Tunizi.

Por, kjo është larg të qenit një model i sigurt për paqe. Qeveria aktuale e Tunizisë është haptazi kritike ndaj Izraelit, por nuk ka asnjë shenjë se presidenti Kais Saeed është i prirur të ofrojë strehë për luftëtarët e Hamasit, edhe nëse ata do të ishin të gatshëm të largoheshin nga Gaza. As Franca dhe as Italia nuk do të ishin të kënaqura duke parë veteranë të kalitur në betejë të zhvendosen drejt Perëndimit përgjatë brigjeve të Mesdheut.

Shtetet e Gjirit, që ende mbajnë mend sesi mbështetësit e Yasser Arafatit në Kuvajt përkrahën pushtimin e vendit nga Saddam Husseini, nuk do t’i mirëpresin me entuziazëm refugjatët nga Gaza. Për më tepër, dënimi i zëshëm i luftës së Benjamin Netanyahut nga shtetet arabe nuk përfshin gatishmërinë për të strehuar viktimat e saj.

Edhe diçka për të pasur kujdes. Pa mbështetjen e SHBA-së, është vështirë të imagjinohet se plani franko-saudit do ta sjellë fundin e shpejtë të luftës. Opinioni izraelit është i ndarë në lidhje me Netanyahun, por nuk ka shenja të një rigjallërimi të mbështetjes për “tokë në këmbim të paqes” - një marrëveshje sipas së cilës Izraeli do të tërhiqej nga territoret e pushtuara në këmbim të bashkëjetesës paqësore me një shtet fqinj palestinez.

Evropianët dhe arabët e Gjirit mund të jenë të lodhur nga lufta në Gazë, por Hamasi dhe akterët e ashpër izraelitë ende nuk janë shteruar. /Telegrafi/