Si mund ta zgjidhë futbolli kaosin në goditjet nga këndi?

Mbajtjet, shtyrjet dhe përplasjet fizike në zonë gjatë goditjeve nga këndi po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Ligën Premier.
Ndërsa numri i golave nga situatat standarde është rritur, skenat me lojtarë që kapen dhe rrëzohen brenda zonës kanë nxitur debate të shumta.
Ish-ndihmës gjyqtari i Ligës Premier, Darren Cann, tha për BBC Sport se “duhet bërë diçka”, pasi në shumë raste deri në 16 lojtarë grumbullohen brenda zonës së vogël, duke e bërë pothuajse të pamundur për ekipin e gjyqtarëve të kontrollojë situatën.
Kush duhet ta zgjidhë problemin?
Debati është i hapur: a duhet të reagojnë më fort gjyqtarët, të ndryshojnë sjelljen lojtarët dhe trajnerët, apo nevojitet ndryshim i rregullores?
Trajneri i Evertonit, David Moyes, ka kritikuar gjyqtarët për mungesë reagimi. Në ndeshjen ndaj Manchester United, disa lojtarë të Evertonit qëndronin pranë portierit kundërshtar, ndërsa pati edhe shtyrje e përplasje brenda zonës.
“Ke ndjesinë se gjyqtarët nuk duan të përfshihen fare. Është e dobët që nuk po e menaxhojnë situatën”, deklaroi Moyes.

“Artet e errëta” të situatave standarde
Me rëndësinë në rritje të goditjeve standarde, skuadrat po përdorin gjithnjë e më shumë taktika bllokimi dhe shpërqendrimi. Cann shpjegon se sulmuesit rrethojnë portierin për t’ia kufizuar lëvizjen, ndërsa mbrojtësit fokusohen më shumë te kundërshtari sesa te topi.
Moyes shtoi se Arsenali është ndër skuadrat që e ka përsosur këtë stil loje, duke e quajtur “bllokimin” një pjesë të madhe të strategjisë së tyre.
Statistikat tregojnë se Liga Premier ka përqindjen më të lartë të golave nga situatat standarde këtë sezon (27%), më shumë se Serie A (24%), Bundesliga (22%), La Liga (19%) dhe Ligue 1 (17%).

A duhet ndryshuar rregullorja?
Aktualisht, shumë nga këto përplasje tolerohen për shkak të pragut të lartë të ndërhyrjes për faulle dhe VAR. Deri tani janë dhënë shtatë penallti për mbajtje këtë sezon, katër prej tyre pas ndërhyrjes së VAR-it.
Një nga idetë e propozuara është që gjyqtari të ketë të drejtë të ndëshkojë sjelljen e palejuar menjëherë pas fishkëllimës për rifillimin e lojës, pa pritur që topi të jetë në lojë.
Një tjetër propozim është që sulmuesit të detyrohen të qëndrojnë jashtë zonës së vogël (5 metër-shit) para se të ekzekutohet këndi, për të shmangur grumbullimin rreth portierit.
Megjithatë, në mbledhjen e fundit të International Football Association Board (IFAB), çështja nuk u diskutua në mënyrë specifike dhe nuk priten ndryshime të menjëhershme.

Problem anglez apo fenomen global?
Disa trajnerë, si Arne Slot i Liverpoolit, mendojnë se kjo po e dëmton cilësinë e lojës në Angli, duke e bërë më pak tërheqëse për t’u parë.
Megjithatë, realiteti është se skuadrat gjithmonë kërkojnë avantazhin më të vogël për të shënuar. Nëse kjo situatë do të zgjidhet me ndryshim rregullash apo me zbatim më të rreptë të atyre ekzistuese, mbetet për t’u parë.
Për momentin, kaosi në goditjet nga këndi vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta në futbollin anglez. /Telegrafi/





















































