LAJMI I FUNDIT:

Si janë ngritur çmimet e bukës në Evropë

Si janë ngritur çmimet e bukës në Evropë

Çmimet e bukës janë ngritur ndjeshëm në të gjithë Evropën gjatë vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e reja, me ngritjen veçanërisht të madhe që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë.

Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ato ishin mesatarisht 18% më të larta në gusht se një vit më parë, sipas Eurostat, agjencia statistikore e BE-së.


Ndryshe, në gusht të vitit të kaluar, ngritja mesatare e çmimeve të bukës në BE ishte vetëm 3%.

Dhe Eurostat thotë se çmimet e bukës janë në nivelin më të lartë.

Hungaria është goditur më së shumti – ajo pa një ngritje të madhe prej 65.5% gjatë vitit, ndërsa Franca, e famshme për baguettes e saj, ka pasur më të ngadaltën të çmimeve.

Siç vë në pah Euronews, pushtim rus dhe bllokimi i eksporteve të grurit nga Ukraina, e cila ishte eksportuesi i pestë më i madh në botë i grurit, kanë ndikuar në ngritje të çmimeve.

Por buka nuk është i vetmi produkt që ka shënuar ngritje të ndjeshme të çmimit.

Çmimet e kombinuara të bukës dhe drithërave janë ngritur me 16.6% në Eurozonë, më e larta që nga janari i vitit 1997.

Si janë rritur çmimet e bukës në të gjithë BE-në

Ndoshta joçuditërisht, ngritja e kostos së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë ka kontribuar gjithashtu në rritjen e inflacionit, së bashku me ngritjen e çmimeve të energjisë.

Në Bashkimin Evropian, inflacioni shënoi një rekord të lartë në muajin gusht, duke arritur në 9.1 për qind.

Si kornizë referimi, qëllimi dhe misioni i Bankës Qendrore Evropiane është të mbajë inflacionin “afër por nën” 2%.

Sipas shkrimit të Euronews, përcjell Telegrafi, ushqimet dhe pijet patën ngritjen e dytë më të madhe, me 12.4%, pas banesave dhe energjisë elektrike, të cilat pësuan një ngritje prej 19.7%.

Pse po ngriten çmimet e bukës në Hungari?

Edhe para fillimit të luftës në Ukrainë, në janar, furrtarët hungarezë i kishin paralajmëruar klientët se mullinjtë do të ngrisnin ndjeshëm çmimin e miellit, siç raportohet nga HVG, duke sugjeruar se Hungaria tashmë po përballej me sfida përpara konfliktit.

Midis gushtit 2021 dhe gushtit 2022, Hungaria kishte muajt e saj më të thatë që nga viti 1901, një situatë që u përkeqësua nga temperaturat e paprecedentë të këtij viti, të cilat shkatërruan të korrat në të gjithë vendin.

Ndërsa fushat e vendit u zverdhën dhe nivelet e ujit në lumenjtë dhe liqenet e tij ranë në nivele alarmante, bujqësia pësoi ndjeshëm.

József Septe, presidenti i Shoqatës Hungareze të Bukëpjekësve, nuk e ka përjashtuar mundësinë që çmimi i bukës të arrijë në 1000 HUF (afërsisht 2.50 euro për kilogram), pasi disa produkte kanë arritur tashmë të njëjtin çmim.

Si janë rritur çmimet e bukës në BE gjatë vitit të kaluar

Hungaria është ndër vendet e BE-së me inflacionin më të lartë. Norma mesatare e inflacionit në BE në gusht ishte 9.1%; në Hungari, ishte 15.6%, më i larti që nga maji 1998.

Çmimet e ushqimeve në vend tani janë ngritur 30.9% krahasuar me muajin e kaluar, sipas Trading Economics.

Çfarë ndikimi ka kjo ngritje e çmimit tek njerëzit?

Familjet evropiane po e ndjejnë “presionin” nga ngritja e këtyre çmimeve.

Sipas të dhënave nga Federata e Bukëpjekësve, shoqata tregtare që përfaqëson industrinë e Bukës në Mbretërinë e Bashkuar, shumica e vendeve në BE kanë një konsum mesatar prej 50 kg bukë për person në vit.

Por ndërkohë që është e vështirë të gjesh një zëvendësim për bukën dhe produktet e tjera të grurit, shtyllat e dietës së miliona evropianëve, ngritja e çmimeve tashmë ka një ndikim.

Në Itali, ku çmimi mesatar i bukës është rritur me 13.5 për qind nga gushti 2021 deri në gusht 2022 dhe sindikatat e furrtarëve kanë paralajmëruar se mund të ngritet ende në 6 euro për kilogram në të ardhmen e afërt, të dhënat tregojnë se në shtatë muajt e parë nga 2022 konsumatorët reduktuan blerjet e tyre ushqimore me 3.2%.

Por për shkak të inflacionit, familjet ende po shpenzojnë më shumë për sende ushqimore sesa më parë.

Sipas të dhënave nga Komisioni Evropian, rritja e inflacionit midis janarit 2021 dhe qershorit 2022 ka rritur koston e konsumit për frymë të familjeve mesatarisht me rreth 160 euro në muaj.

Ndërsa çmimet e ushqimeve vazhdojnë të ngriten, Brukseli shqetësohet se familjet me të ardhura më të ulëta do të vuajnë më shumë, pasi do të duhet të shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxheteve të tyre për artikujt bazë si buka. /Telegrafi/