LAJMI I FUNDIT:

SI ENDACAK

SI ENDACAK

Poezi nga: Bob Dylan (kënga “Like a Rolling Stone” e vitit 1965)
Përktheu: Besnik Hamiti

Moti dikur visheshe si nur
Lypsarëve u hidhje metelik kur ishe shik, apo jo?
Njerëzit thërrisnin, thoshin “Bukuroshe kujdes, mund të thyhesh në mes”
Mendoje se ata po bënin shaka me ty
Dikur i leje në hije
Gjithë ata me të cilët rrije
Tash nuk flet me zë aq të lartë
Tash nuk je dhe aq kryelartë
Kur për secilën shujtë lëmoshë duhet të kërkosh

Çfarë është kjo ndjesi
Çfarë është kjo ndjesi
Të jesh pa shtëpi
Kush s’të njeh aspak
Si një endacak?

Vërtet ke ndjekur shkollën më të mirë, Zonjusha Vetmitare
Por ti e di mirë që atje veç je dehur duke pirë
Kurrë kush s’të mësoi në rrugë si jetohet
Tash e more vesh se me këtë duhet të mësohesh
Thoshe se kurrë nuk do të bëje kompromis
Me endacakun misterioz, por tani e kupton
Ai alibi nuk ofron
Derisa në zbrazësinë e syve të tij zgurdullon
Dhe të bësh pazar me të kërkon.

Çfarë është kjo ndjesi
Çfarë është kjo ndjesi
Të jesh fillikat vetëm
Kur s’di rrugën për në shtëpi
Kush s’të njeh aspak
Si një endacak?

Kokën s’e ktheje t’i shihje mrrolet e zhonglerëve e të palaçove
Kur vinin të gjithë të bënin truqe për ty
Kurrë s’e more vesh që nuk është gjë e mirë
T’i lësh të tjerët të marrin goditje në vendin tënd
Dikur kalëroje në kalin e kromtë me diplomatin tënd
I cili macen siameze në supe mbante
A s’është e rëndë kur e zbulon
Se ai nuk ishte ashtu po vetëm shtirej
Pasi të mori çdo gjë që mund të vidhej

Çfarë është kjo ndjesi
Çfarë është kjo ndjesi
Të jesh fillikat vetëm
Kur s’di rrugën për në shtëpi
Kush s’të njeh aspak
Si një endacak?

Princesha në maje kulle dhe gjithë njerëzit e bukur
Po pinë duke menduar se këtë e kanë merituar
Duke shkëmbyer gjithfarë dhuratash e gjërash të çmuara
Më mirë e ke, e dashur, unazën me diamant peng ta lësh
Dikur argëtoheshe aq shumë
Me Napoleonin në rrecka dhe gjuhën që përdorte
Shko te ai tani, apo të thërret, s’mund ta kundërshtosh
Kur s’ke asgjë, s’ke çka të humbësh
Tani je e padukshme, s’ke fshehtësi të mbulosh!

Çfarë është kjo ndjesi
Çfarë është kjo ndjesi
Të jesh fillikat vetëm
Kur s’di rrugën për në shtëpi
Kush s’të njeh aspak
Si një endacak?

/Telegrafi/