Si e shmangu censurën britanike, shfaqja “skandaloze” Hair

Nga: Nicholas Barber / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Pesëdhjetë e shtatë vjet më parë këtë javë, spektatorët e teatrit në Londër u përballën me skenën e mbushur me aktorë të zhveshur. Vetëm një ditë më parë, kjo nuk do të ishte e mundur. Për më shumë se 200 vjet, asnjë shfaqje e re nuk mund të vihej në skenë në Britani pa marrë leje nga Lordi Çamberlein [titull i postit] - një zyrtar i lartë i oborrit mbretëror. Dhe, skena me nudo ishte vetëm një nga gjërat që ky censor, me fuqi të plotë, nuk do të lejonte. Por, ligji ndryshoi dhe sundimi i Lord Çamberleinit mori fund më 26 shtator 1968. Natën tjetër, Flokët [Hair] u shfaq në Teatrin Shaftsberi [Shaftesbury Theatre].
“Nuk do të mund ta bënim shfaqjen, ashtu siç e bëmë, pa modifikime të mëdha”, i tha BBC-së, regjisori i mjuziklit amerikan Flokët, Tom O’Horgan. Në një nga ato modifikime do duhej të hiqej skena e famshme - apo famëkeqe - ku i gjithë kasti shfaqet në skenë pa kostume, përveç ndonjë gjerdani me rruaza. Por, O’Horgan nuk besonte se skena nudo ishte “thelbi kryesor i problemit”. Në fakt, për disa arsye, zyra e Lord Çamberlejnit kishte refuzuar të licenconte Flokët në korrik të vitit 1968. “Shumëçka nga publiciteti ka errësuar aspektet e rëndësishme të shfaqjes”, ka thënë O’Horgan, “të cilat ndoshta janë gjithashtu tronditëse për njerëzit, sepse ne trajtojmë gjërat ashtu siç janë, dhe i tregojmë ashtu siç janë”.
Flokët ishte ideja e dy aktorëve të papunë, James Rado dhe Gerome Ragni, të cilët u frymëzuan nga grupet e të rinjve hipikë që kishin parë nëpër rrugët e Nju-Jorkut. Plani i tyre ishte të shkruanin një mjuzikël që do t’i vinte këta njerëz në qendër të vëmendjes - me gjithë lirinë, energjinë dhe qëndrimin e tyre kundër autoritetit në lidhje me seksin, drogën, prindërit, qeverinë dhe Luftën në Vietnam. Galt MacDermot, një entuziast i xhazit dhe aspak hipik, u punësua për të shtuar muzikën në tekstet e Rados dhe Ragnit dhe, në tetor vitit 1967, shfaqja u dha në një skenë të vogël në Broduej - në Teatrin Publik të Xhozef Papit [Joseph Papp's Public Theatre]. Në prill të vitit pasues, u zhvendos në Teatrin Biltmor [Biltmore Theatre] në Broduej ku luhej çdo natë në salla të mbushura plot - por, vetëm pasi ishte rishikuar në detaje, me këngë të reja, aktorë të rinj në shumicën e roleve dhe me një regjisor të ri (O’Horgan).
Ky version i ri përfshinte edhe skenën për të cilën Flokët u bë i njohur. “Një skenë nudo u fut në fund të aktit të parë, e cila shkaktoi shumë diskutime - të tilla që shesin bileta”, shkroi Colette Dowling në numrin e shtatorit 1968 të revistës Playbill. “Ajo gjithashtu përbënte një nga deklaratat më të forta morale të shfaqjes”.
Deklarata morale ishte se trupat e rinj, si ata që shfaqeshin çdo natë në skenë, po visheshin me uniforma dhe po copëtoheshin nga bombat dhe plumbat në Luftën e Vietnamit. Në atë skenë nuk kishte asgjë seksuale dhe aktorët as që ishin të detyruar të zhvisheshin plotësisht, nëse nuk dëshironin - megjithëse producentët ofronin një shpërblim prej 1.50 dollar për natë për këdo që pranonte.
Në kohën kur shfaqja Flokët erdhi në Londër, O’Horgan ndjeu se skena e nudos ishte “mbivlerësuar në mënyrë të tepruar” - krahasuar me shembujt e tjerë të politikës radikale në shfaqje. Tablòja e shkurtër kishte “shumë pak rëndësi në vetë shfaqjen”, tha ai për BBC-në, dhe shfaqja do të kishte rënë ndesh me censurën britanike edhe pa të. “Mendoj se ka shumë fusha të gjuhës dhe tema që trajtoheshin në shfaqje në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë, të cilat me shumë gjasa nuk do ta kishin kaluar testin e Lord Çamberleinit”, tha ai.
Disa nga këto fusha përshkruhen nga Scott Miller në librin e tij Rebelët me duartrokitje: Mjuziklat revolucionarë të Broduejit [Rebels with Applause: Broadway's Groundbreaking Musicals]. “Me pak ngjarje, me një skenografi të vetme, me plot fjalë të pista me katër shkronja, përmbajtje eksplicite seksuale, rituale, drogë, tekste këngësh që nuk kishin rimë, muzikë që nuk ndiqte rregullat dhe zërin e vërtetë të rokënrolit - për herë të parë në skenën e Broduejit ... shfaqja refuzoi çdo konvencion të Broduejit, të teatrit tradicional, në përgjithësi, dhe të mjuziklit amerikan - në veçanti. Hair ishte mjuzikli i parë impresionist në Broduej, në të cilën tekstet, dialogët, rrëfimi dhe personazhet ishin të nënkuptuar, të sugjeruar, abstraktë”.
Inovacionet formale ndoshta nuk do ta shqetësonin shumë Lordin Çamberlein, por disa nga tekstet e këngëve me siguri do ta bënin të kapte lapsin e tij të kaltër - veçanërisht për ato me “fjalët me katër shkronja, përmbajtje eksplicite seksuale, rituale, drogë” të përmendura nga Milleri. Flokët përmban himne frymëzuese të epokës fuqisë së luleve, veçanërisht Aquarius dhe Let the Sun Shine In. Por, ka gjithashtu edhe këngë subversive që thyejnë tabu. Sodomy është një gospel që rendit një sërë aktesh seksuale. Në Hashish, kasti përmend emrat e llojeve të ndryshme të narkotikëve, ndërsa dy këngë të tjera, Black Boys dhe White Boys, janë lavdërime me tone erotike ndaj marrëdhënieve ndër-racore. Nuk kishte asnjë mënyrë që Lord Çamberlejni do të kishte miratuar ndonjërën prej tyre.
Fatmirësisht, për O’Horganin, shumë dramaturgë, producentë dhe politikanë britanikë, prej kohësh kishin vënë në pikëpyetje se pse një organ jodemokratik kishte ende të drejtën të censuronte kaq shumë ndërmarrje artistike. Kjo praktikë datonte nga viti 1737, kur hyri në fuqi Ligji për Licencimin e Teatrove, kryesisht sepse kryeministri i atëhershëm, Robert Walpole, ishte lodhur duke u tallur në shfaqjet si Opera e lypësit [The Beggar’s Opera] e John Gayt. Zyra e Ekzaminuesve të Shfaqjeve pranë Lord Çamberlejnit kishte për detyrë të lexonte skenarët dhe të vizitonte teatrot për t’u siguruar se nuk do të lejohej në skenë asnjë detaj që do të mund të skandalizonte publikun apo të satirizonte qeverinë.
Siç pritej, shumë nga vendimet e kësaj zyre ishin problematike. Në vitet ’30 të shekullit XX, u refuzuan shfaqjet që tallnin Adolf Hitlerin - për të mos ofenduar regjimin nazist. Në vitet ’50 të shekullit XX, Teatri Mbretëror në Londër [Royal Court Theatre] shpesh përplasej me Lord Çamberleinin për dramat realiste të rebelimit nga “të rinjtë e zemëruar”, si John Osborne. Në vitet ’60 të shekullit XX, Teatri Mbretëror kërkonte hapësira ligjore për të mundësuar vënien në skenë të veprave provokuese të Joe Ortonit dhe Edward Bondit. “Për shumë vite, nuk kemi mundur të vëmë në skenë shumë drama në këtë teatër, në gjuhën në të cilën i ka shkruar autori”, i ka thënë BBC-së në vitin 1968, drejtori artistik i Teatrit Mbretëror, William Gaskill. “Ka pasur shumë ndërhyrje të vogla, por bezdisëse, në gjuhën më të fuqishme të dramave.”
Erdhi momenti për një ndryshim - ky ishte, në fund të fundit, agimi i epokës së Ujorit [Aquarius] - dhe pas protestave, ndër vite, debateve parlamentare dhe mbledhjeve të komiteteve, u miratua Ligji i ri për Teatrot. Epoka e Lord Çamberleinit mori fund. “Skena është gati për disa eksperimente sfiduese”, raportoi BBC-ja. “Nuk ka dyshim për këtë. Spektatorët po hyjnë në një epokë të re dhe më të lirë në historinë e teatrit. Nuk do të duhet të presim gjatë për të parë se sa të lirë do të jenë ata që qëndrojnë pas skenës”.
Duke e dhënë premierën në Londër, në të njëjtën kohë me miratimin e Ligjit për Teatrot, producentët e saj bënë një goditje të përkryer publicitare - dhe në kohën e duhur. Ajo që ofruan ishte shfaqja më e përshtatshme e mundshme për të simbolizuar këtë “epokë të re dhe më të lirë” - dhe ishte shfaqja ideale për këdo që donte të shihte se çfarë do të përmbante një natë pa censurë në teatër.
“Ishte ngjarje e madhe”, tha Anthony Lewis për New York Times në lidhje me premierën e mjuziklit në Londër. “U ngacmua një audiencë e veshur në mënyrë ekstravagante - kryesisht me simpati, por disa edhe me zemërim - nga ritmet e rokut dhe mesazhi ikonoklastik i shfaqjes ... Kritika ishte e ndarë këtë mëngjes: disa të mërzitur, disa të shqetësuar, disa sinqerisht të kënaqur”.
Annabel Leventon ishte pjesë e trupës origjinal të Flokët në Londër, në vitin 1968, dhe, në vitin 2017 i tregoi programit Woman’s Hour, në Radio 4 të BBC-së, se sa revolucionar kishte qenë ai realizim. “Kërcenim nëpër korridore, uleshim në prehrin e njerëzve në publik, i trembnim ata dhe, në fund të shfaqjes, të gjithë dilnim duke kënduar Let the Sun Shine In, pastaj ktheheshim në skenë dhe e gjithë audienca na ndiqte. Atëherë kuptuam që kjo shfaqje solli një ndryshim më të madh në Britani sesa kudo tjetër. Flokët me të vërtetë tronditi dhe e ndryshoi përgjithmonë botën e teatrit”. /Telegrafi/




















































