LAJMI I FUNDIT:

Si e njoha Jusuf Gërvallën

Si e njoha Jusuf Gërvallën

Nga: Binak Kelmendi

Jusuf Gërvalla ka qenë disa vite para meje në shkollën e mesme në Pejë. Kam harruar, apo nuk e kam ditur, nëse ka qenë në Gjimnaz a në Normale, në ndërtesën e përbashkët ku mësimet mbaheshin në dy turne: Normalja pasdite e Gjimnazi paradite.

Një vit pas fillimit tim në Gjimnaz, Shkolla Normale u vendos te Shkolla e atëhershme e Bujqësisë dhe ne gjimnazistët mbetëm pa tingujt e bukur të mandolinës, kitarës dhe ndonjëherë edhe të pianos që shpërthenin nga klasat e normalistëve.


Natyrisht se në atë kohë, nuk e kam njohur Jusufin.

Edhe pse s’e kisha njohur, kujtimi për Jusufin, gjatë katër vjetëve sa kam qenë gjimnazist, ka qenë gjithmonë i pranishëm dhe shumë i gjallë.

Flitej për të si për një këngëtar të mirë dhe si për një djalosh që dinte të luante bukur me telat e kitarës. Thuhej se ai jo vetëm që di të këndojë, por ishte edhe sajues i këngëve dhe i vjershave dhe se ato i përcillte pothuaj me të gjitha instrumentet muzikore, sado që specialitet e kishte kitarën.

Unë vetëm dëgjoja këto rrëfime pa thënë asnjë fjalë rreth tyre.

Gjithmonë është përmendur si një djalosh që s’e ka lëshuar kurrë kitarën nga krahu, këngën nga goja dhe shoqërimin me djem e vajza në kodrinat me vreshta sipër Gjimnazit.

Atëherë Jusuf Gërvalla është përkujtuar, madje me lakmi, edhe si çapkën e bandill i shkollës që ua rrëmbente zemrat shumë gjimanizisteve. Kur flitej kështu për të, shumë nga gjimnazistët shfaqnin hapur xhelozinë ndaj tij.

Me Jusuf Gërvallën fizikisht do të njihesha shumë më vonë, pasi përfundova gjimnazin dhe pasi mbarova studimet.

Do të njihesha në “Rilindje”.

Nuk e di sa vite para meje ka ardhur Jusufi në “Rilindje”. E di se që nga viti 1976, kur unë fillova punën në gazetën, dikur të përditshme të Kosovës, dhe deri në vitin 1979, kemi ndenjur shpesh bashkë në Dokumentacion dhe byfenë e “Rilindjes” – te Ankica, thoshim atëherë.

Tek pinim kafe dhe cigare “Bozhur”, flisnim për shumëçka. Për artin e letërsinë, për përkthimet në letërsi, por edhe për politikën. Në të vërtetë, ishte ai që fliste shumë më shumë, sidomos për politikën.

Unë e dëgjoja duke u habitur me guximin e tij që të shpaloste çdo temë me mua. Madje, ndonjëherë, e pranoj, edhe duke pasur drojë, sidomos tek fliste për pozitën e pabarabartë të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, dhe për ndarjen e tyre në disa republikat e ish-atij shteti. E pranoj, unë nuk jepja asnjë mendim dhe vetëm pohoja me kokë. Ai më shikonte, nganjëherë me habi dhe pastaj ngrihej e largohej nga tavolina duke kënduar ndonjë këngë të veten apo dhe këngë të të tjerëve.

Dhe vazhdonim kështu edhe të nesërmen ose ndonjë ditë më pas. Njësoj, nga fillimi. Kur në tavolinë vinte ndonjë i tretë apo i katërt, Jusufi nuk fliste më për politikë. Ndonjëherë dhe largohej duke u arsyetuar se kishte punë rreth gazetës.

Në “Rilindje” Jusufi ishte ekspert i “Kronikës televizive”. Kështu e quanim rubrikën në shtojcën e kulturës qe i kushtohej televizionit që më duket se botohej çdo të premte. Ai merrej kryesisht me analizën e programeve televizive, në atë kohë të RTP-së, dhe me “vlerat ideo-artistike” të tyre, siç thuhej atëherë. Jusufi e bënte këtë punë me shumë kompetencë pasi që ai kishte sy shumë të mprehtë dhe vesh shumë të hollë. Shkruante, madje me shumë dashuri, edhe për koncertet që mbaheshin në vend. Më së shumti dhe me shumë dëshirë shkruante për koncertet e grupeve artistike të Shqipërisë që atëherë vizitonin dhe shfaqnin programe artistike nëpër Kosovë.

Në vitin 1979 Jusuf Gërvalla e la “Rilindjen” dhe Kosovën.

U vendos në Gjermani, për ta vazhduar atje veprimtarinë kundërrevolcionare, nacionaliste dhe irredentiste shqiptare, siç quhej atëherë nga Lidhja Komuniste e të gjitha niveleve (krahinore, republikane dhe federative – LKK, LKS dhe LKJ), përpjekja dhe lufta për barazi e shqiptarëve në ish- Jugosllavi.

Për këtë veprimtari kombëtare e atdhetare, Jusufi u vra nga shërbimi sekret serb dhe ai jugosllav në janarin e vitit 1982, me gjasë, me shumë ndihmë edhe nga Kosova. U vra te garazha e shtëpisë ku banonte.

Lajmin për vrasjen e Jusufit e mora në kryeqytetin e Algjerisë, në Algjer. Atë vit, në këtë qytet mesdhetar arab, po qëndronin gazetarë shqiptarë të Kosovës bashkë me gazetarë jugosllavë të të gjitha republikave. Ishte vizitë në vendin që atëherë konsiderohej mik i ish-Jugosllavisë. Më duket se ky shtet tash dhe gjithnjë ka mbetur mik i Serbisë pasi që Algjeria ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës pavarësisht se Serbia ka tërhequr njohjen e Republikës së Saharasë Perëndimore që dikur përkrahej me të madhe nga autoritetet algjeriane.

Dhe lajmi më shokoi tepër shumë. Jo vetëm mua, por të gjithë gazetarët shqiptarë sa ishim aty. Por, më shumë se sa lajmi për vrasje, më mirë të them rënie të Jusufit dhe të dy bashkëluftëtarëve të tij, më pati shokuar gëzimi, do të thosha ekstaza skizofrenike e gazetarëve të Beogradit tek flisnin me britma ngazëllimi rreth vrasjes së Jusufit. Dhe tash, më duhet të pranoj me keqardhje, pse ne gazetarët e Kosovës heshtëm dhe nuk e thamë asnjë fjalë. … Besoni, që nuk ishte lehtë … Krejt çfarë bëmë ishte heshtja jonë dhe pikëllimi ynë …

U desh të kalonin gati dhjetë vjet që Jusufi e veprimtaria e tij të rikthehehej në Kosovë me të gjitha vlerat që kishte dhe i ka: poetike, prozatore, muzikante, publicistike dhe kombëtare.

Në vitin 1990, në tetor, me disa gazetarë të Kosovës qëndruam në Shqipëri.

Tirana ishte mikpritëse e takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit.

Merrte pjesë edhe Jugosllavia që vazhdonte ekzistimin në këmbë të qelqta me gjendjen e jashtëzakonshme që e kishte vënë në Kosovë dhe me ndjekjen e shtypjen e vazhdueshme të shqiptarëve.

Përfaqësuesi i saj, Budimir Llonçar, fliste me gënjeshtra për ndryshimet demokratike dhe për të drejtat barabarta të të gjithëve në vendin e tij.

Në atë kohë Tirana kishte pësuar trandjen e dytë nga goditjet kundër regjimit komunist. Pas ikjes dhe vendosjes së qytetarëve shqiptarë nëpër disa ambasada perëndimore, një grusht të madh regjimit ia dha edhe largimi dhe vendosja e Ismail Kadaresë në Francë.

Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, sigurisht me sugjerimet dhe me udhëzimet e Partisë së Punës, atëbotë largimin e Kadaresë e pati quajtur “dezertim”. Në konferencën për shtyp që u mbajt enkas për këtë rast u tha se ‘Partia dhe shkrimtarët do të qëndrojnë stoikë në rrugën socialiste të Shqipërisë’’.

Gjatë ditës ishte shumë vështirë të merrej lidhja telefonike me Kosovën. Megjithatë, e dërgova disi lajmin për “dezertimin” e Kadaresë.

Në mbrëmje, nga skena teatrore e kryeqytetit qe larguar drama e tij “Natë pa hënë”. Të nesërmen, nëpër libraritë e kryeqytetit nuk gjendej asnjë libër i tij. Nuk dihej në ishin shitur apo në ishin larguar nga regjimi. Nuk jepej asnjë shpjegim.

Unë dhe dy gazetarë të tjerë të Kosovës, shfrytëzuam këtë qëndrim në Tiranë dhe vizituam familjen e Jusuf Gërvallës që ishte vendosur, tash kam harruar, a te Blloku i famshëm i atëhershëm apo diku në afërsi të tij. Vetëm më kujtohet se banesa duhet të ketë qenë diku afër Liqenit.

Qëndruam jo pak dhe folëm shumë për Jusufin. Edhe për vrasjen e tij, edhe për strehimin e familjes së tij në Tiranë.

Kuptuam se fëmijët e Jusufit që atëherë kishin dalë në anën e kundërt të komunistëve shqiptarë.

Sikur babai i tyre, Jusufi, i cili jo vetëm derisa ishte ne Gjermani, kundërshtonte mbylljen hermetike të Shqipërisë dhe ekonominë koopetariviste të saj.

“Pse të mos bëhet edhe Shqipëria si gjithë Europa”, thoshin fëmijët e Jusufit.

U larguam nga familja e Jusufit nëpër rrugën e pandriçuar të bllokut. Një i dehur, ose i shtirë të ishte i dehur, mërmëriti diçka nëpër dhëmbë. Më duket se na shau.

Kur erdhëm në Kosovë, masat jugosllave te Serbisë kundër shqiptarëve ishin ashpërsuar edhe më shumë.

Në “Rilindje” më pritën me dëshirën që të shkruaja menjëherë për Shqipërinë në shtypin alternativ me të cilin zëvëndësonim gazetën e ndaluar.

“Nuk do të shkruaj gjë”, thashë . “Nuk kam parë gjë të mirë në Shqipëri”, shtova duke rritur edhe më shumë zhgënjimin e kolegëve,

Jusufi dhe unë jemi të lindur në një ditë, më 1 tetor.

Lavdi dhe pastë dritë!

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori