LAJMI I FUNDIT:

Shumë ankesa në lidhje me portofolin digjital Apple Pay

Shumë ankesa në lidhje me portofolin digjital Apple Pay

Portofoli digjital i Apple “Apple Pay” po ‘ia zë frymën’ konkurrencës në tregun e pagesave, sipas një numri të ankesave të bëra te komisionarja evropiane e Konkurrencës Margret Vestager.

“Ne kemi marrë ankesa të shumta në lidhje me Apple Pay për arsye thjesht konkurruese. Njerëzit e kanë gjithnjë e më të vështirë të konkurrojnë në treg për ekzekutimin e lehtë të pagesave”, tha Vestager.

Shërbimi Apple Pay është i disponueshëm në të gjitha vendet anëtare të BE-së, dhe Lup Ventures vlerëson se 88 për qind e përdoruesve janë nga jashtë SHBA-së.

Apple Pay, i cili kërkon të konkurrojë  WeChat dhe Samsung Pay, aktualisht ka 383 milionë përdorues në të gjithë botën, më shumë se numri i përdoruesve me platforma të pagesave mobile si Google Pay dhe Amazon Pay.

Komisionarja Vestager ka marrë një qëndrim të mprehtë në rregullimin e operacioneve të kompanive të mëdha të teknologjisë amerikane, pasi ajo i ka dhënë dënimet antimonopol kompanisë  Google mbi 9.5 miliardë dollarë vetëm në dy vjetët e fundit. /kp/Telegrafi/