LAJMI I FUNDIT:

Shtyhet afati deri më 1 mars për rritjen e tarifave në mallrat kineze

Shtyhet afati deri më 1 mars për rritjen e tarifave në mallrat kineze

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do të shtyjë rritjen e planifikuar të tarifave në mallrat kineze, duke përmendur “përparimin e konsiderueshëm” në negociatat me Pekinin.

Trump përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar se ka përparim në bisedimet me palën kineze.


“Jam i lumtur t’iu njoftoj se Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të konsiderueshëm në bisedimet tona me Kinën në çështje strukturale, duke përfshirë mbrojtjen e pronës intelektuale, transferimin e teknologjisë, agrikulturës, monedhave dhe aspekteve tjera”, ka shkruar Trump, përcjell Telegrafi.

“Unë do të shtyj rritjen e tarifave amerikane, që ishte planifikuar të ndodhte më 1 mars. Duke parashikuar se të dyja palët do të arrijnë përparim shtesë, ne do të planifikojmë mbajtjen e një samiti mes presidentit kinez Xi dhe meje, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje. Një fundjavë shumë e mirë për SHBA-në dhe Kinën”, ka shtuar ai.

Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping janë takuar më parë në Mar-a-Lago, e cila është pronë e presidentit amerikan në Florida.

Ai është takuar më 22 shkurt me zëvendëskryeministrin kinez, Liu He, i cili është nisur në Washington, në kuadër të bisedimeve me negociatorët amerikanë për tregti.

Lufta tregtare SHBA-Kinë, arrihet marrëveshja për valutën
Lexo po ashtu Lufta tregtare SHBA-Kinë, arrihet marrëveshja për valutën

Presidenti Trump kishte planifikuar rritjen e tarifave për mallrat kineze, në vlerë të 200 miliardë dollarëve, nga 10 për qind sa janë tani në 25 për qind, nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 1 mars.

Lufta tregtare në mes të dy gjigantëve botërore ka ndikuar në tregjet e aksioneve dhe ka ngritur shqetësimet për luftë tregtare botërore.

Trump ka arsyetuar vënien e masave ndaj Kinës, duke përmendur praktikat e padrejta të autoriteteve kineze ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe ka kërkuar ndryshime rrënjësore nga ky shtet, sa i përket vjedhjes së pronës intelektuale dhe eliminimit të pengesave për kompanitë amerikane në tregun e Kinës. /Telegrafi/