LAJMI I FUNDIT:

Shtrenjtohen çmimet e konsumit në Kosovë

Shtrenjtohen çmimet e konsumit në Kosovë

Inflacioni mujor i matur në muajin gusht 2018 nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ishte 0.4 për qind dhe krahasuar me muajin korrik 2018 dhe ky indeks ishte më i lartë për 0.4 për qind. Kështu thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, gusht 2018”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

ASK tregon se ngritja më e madhe e çmimeve ishte në shërbimet për transport dhe energji elektrike me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në IHÇK.


“Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë për 0.4 për qind në muajin gusht 2018, krahasuar me muajin korrik 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në mish me 0.8 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 3 për qind, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 1.3 për qind, shërbimet për transport me 4.5 për qind (ngritje e çmimeve të biletave të udhëtarëve me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në IHÇK. Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupi i pemëve për 4 për qind, me një ndikim prej 0.1 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Sipas të dhënave të raportit, inflacioni vjetor ishte 1.5 për qind dhe kishte ngritje të çmimeve prej 2.3 për qind me një ndikim të përbashkët në IHÇK.

“Inflacioni vjetor ishte 1.5 për qind. Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë për 1.5 për qind në muajin gusht 2018, krahasuar me muajin gusht 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në bukë dhe drithëra me 1 për qind, mish me 2.5 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 3.9 për qind, perime me 16.3 për qind, pije alkoolike me 2.3 për qind, duhan me 2.8 për qind, mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 3.1 për qind, përdorim i pajisjeve për transportin personal me 9.8 për qind (ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës), shërbime për transport me 6.3 për qind (ngritje e çmimeve të biletave të udhëtarëve me aeroplan), shërbime hoteliere me 3.3 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.3 për qind në IHÇK”, vijon raporti.

Çmimet e energjisë elektrike, pajisjet e telefonisë mobile dhe ëmbëlsirat e bënë neutralizimin e çmimeve.

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit në pemë me 1.4 për qind, sheqer dhe ëmbëlsira me 7.7 për qind, ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 1.3 për qind, veshje me 1.3 për qind, këpucë me 5.1 për qind, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 6.5 për qind, orenditë dhe aparaturat, qilimat dhe shtrojat e tjera për dysheme me 2.3 për qind, pajisje shtëpiake me 2.5 për qind, pajisjet e telefonisë mobile me 9 për qind, pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave me 4.2 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej me 0.8 për qind në IHÇK”, përfundon raporti. /Telegrafi/