LAJMI I FUNDIT:

Shtëpia Botuese “Dukagjini” fiton çmimin për përkthimin më të mirë në “Tirana 2022”

Shtëpia Botuese “Dukagjini” fiton çmimin për përkthimin më të mirë në “Tirana 2022”

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka fituar çmimin për përkthimin më të mirë, me librin “Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqisit, përkthyer nga Romeo Çollaku.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve është mbajtur në Pallatin e Kongreseve, ku po vazhdon të mbahet edicioni i 25-të i Panairit më të madh të librit në hapësirën shqiptare.

Romeo Çollaku, shkrimtar dhe përkthyes nga greqishtja, frëngjishtja dhe polonishtja, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e letrave, është një ndër emrat më me zë të kulturës shqiptare. Duke e marrë shpërblimin, Çollaku tha se e falënderon jurinë për çmimin dhe se gëzohet shumë që çmimi i jepet një libri të botuar në Kosovë, për më tepër një libri grek të botuar në Kosovë.

“Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqisit, sjellë mjeshtërisht në shqip nga Çollaku, është historia e Françeskut të Asizit, shenjtorit të pashoq, që ndryshoi rrugën e të menduarit dhe të afruarit me zotin. Një rrëfim prekës, i thellë, i jashtëzakonshëm që, përmes shembullit të jetës së Françeskut, na fton të kthehemi kah shpirtërorja dhe humania.

Ky libër është libri i tetë në kolanën ANIMA, e cila përfshin veprat më eminente të letërsisë botërore, të përkthyera nga përkthyesit më të njohur shqiptarë. Me një redaksi kompetente, shtëpia botuese “Dukagjini” synon që, përmes kësaj kolane, ta rrisë vetëdijen e lexuesit për letërsinë e mirëfilltë.

Menjëherë pasi ka pranuar çmimin, Çollaku ka qëndruar te stenda e “Dukagjini”-t në Panair, për të bashkëbiseduar me lexuesit.

Kujtojmë se shtëpia botuese “Dukagjini” në vetëm një vit të rikthimit të saj kah botimi i librit artistik ka botuar tetë autorë të rëndësishëm, pjesë e kolanës së sipërpërmendur (L. Tolstoj, J. Donoso, N. Leskov, M. de Unamuno, M. Bullgakov, H. James, M. Eliade, N. Kazanxaqis etj.).

Po ashtu, me katër prej serisë prej gjashtëmbëdhjetë librash të nobelistit Hermann Hesse, autorë si T. Capote, T. Williams etj., lektyrat për fëmijë, me autorë si: R. Kipling, G. Rodari, H. Andersen etj. dhe plot të tjerë që do të vijnë në vazhdim, Shtëpia Botuese “Dukagjini” u dëshmon lexuesve se shija letrare mund të kultivohet dhe se letërsia e mirë është përherë në modë.

Në Panairin e Tiranës, “Dukagjini” ka prezantuar edhe librat “Gjej kohë” dhe “Trajneri i mentalitetit të zhvillimit”. Ndërmjet dy panaireve, kemi botuar edhe librat “Mindsight – vëzhgimi i mendjes” dhe “Pse s’ma ka thënë njeri më parë”. Ndërsa më parë edhe librin “Truri i fëmijës”, që ka vazhduar të ngjallë interesim të jashtëzakonshëm.

Në stendën e “Dukagjini”-t në Panair janë edhe titujt e kolanës “Fryma”, si: “Etika dhe pafundësia”, “Konditat e lirisë”, “Studime mbi mesjetën”, “E shkuara e një iluzioni” etj.

Panairi i Librit “Tirana 2022”, që këtë edicion u mbajt nën moton “Të gjithë jemi lexues”, mbyllet të dielën e 20 nëntorit.

Artikull i sponzorizuar