Autoritetet gjyqësore greke kanë dënuar me burgim të përjetshëm shtetasin shqiptar Eduar Danaj, i cili vrau me thikë bashkëshorten e tij, Enkelejda Danaj, në maj të vitit 2024 në Athinë.

Sipas mediave greke, Danaj, 52 vjeç, u shpall fajtor për vrasje me paramendim, të kryer nën ndikimin e xhelozisë dhe motiveve kontrolluese ndaj bashkëshortes.


Pas krimit, ai ishte larguar nga vendngjarja dhe ishte fshehur përkohësisht në një hotel, ku më pas u arrestua nga policia greke.

Nga dosja e hetimit rezulton se ngjarja ndodhi në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 06:00, kur viktima po përgatitej të shkonte në punë. Në atë moment, bashkëshorti e kishte sulmuar me thikë, duke e goditur më shumë se 14 herë, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Procesi gjyqësor ndaj Danajt nisi sot në Gjykatën e Përzier të Athinës, ku dëshmoi edhe vajza 22-vjeçare e çiftit, e cila pas ngjarjes ka marrë përsipër kujdesin për vëllain e saj më të vogël.

E reja, e cila refuzoi ta shikonte babanë gjatë seancës, dëshmoi se ai “nuk është penduar kurrë për krimin që ka bërë”.

“Folëm një herë. Ai më kërkoi falje, por pastaj filloi ta mallkonte nënën”, – tha ajo para trupit gjykues.

Me vendimin e sotëm, gjykata greke mbylli një nga rastet më të rënda të dhunës në familje me pasoja fatale që ka tronditur opinionin publik në Greqi dhe në komunitetin shqiptar atje.