LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët në veri të lënë anash, mungesa e sigurisë dhe papunësia vazhdojnë të jenë sfidë

Shqiptarët në veri të lënë anash, mungesa e sigurisë dhe papunësia vazhdojnë të jenë sfidë

Veriu i Kosovës vazhdon të ballafaqohet me sfida të shumta, ndërsa mungesa e sigurisë dhe papunësia po ua vështirëson edhe më shumë jetën qytetarëve shqiptarë atje.

Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se veriu i vendit po përballet me shumë probleme, duke filluar nga mungesa e sigurisë, krimi i organizuar, kontrabanda, barrikadat fizike, qarkullimi jo i lirë i qytetarëve shqiptarë e shumë çështje tjera, adresimi i të cilave po vazhdon të jetë sfidë për shtetin.


Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në veri të Kosovës ka tendenca për përkeqësim të situatës.

Sipas tij, kjo gjë u pa edhe në ditën e zgjedhjeve ku grupet kriminale apo shërbimet sekrete serbe tentuan të fusin bombat me telekomandë.

Profesori Islami tha se kjo paraqet rrezik të përgjithshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Në veri të Kosovës ka tendenca dhe po vërehet që situata ka filluar të përkeqësohet, jo vetëm për shkak të zgjedhjeve ku grupe të caktuara kriminale të dirigjuar nga Serbia tentuan të fusin bombat me telekomandë, që në fakt ato paraqesin rrezik të përgjithshëm për njerëzit. Grupet kriminale ruajnë monopolin në veri të Kosovës. Ata bëjnë transportim të drogës, armë etj, e që janë të lidhur drejtpërdrejt me shtetin e Serbisë. Ata e mbajnë gjendjen e tensionuar dhe sa herë që iu nevojitet ta paraqesin situatën e brishtë në veri të Kosovës, ndërmarrin veprime të pamatura dhe të rrezikshme që në mënyrë të sinkronizuara bëjnë rrahje, plaçkitje pastaj dëmtim të pronës”, u shpreh Islami.

Policia ndalon një autobus me targa të Serbisë, dyshohet për mjet shpërthyes  
Lexo po ashtu Policia ndalon një autobus me targa të Serbisë, dyshohet për mjet shpërthyes  

Ai po ashtu tha se jo vetëm shqiptarët janë të lodhur nga kjo gjendje, por edhe banorët serb që jetojnë në atë pjesë të Kosovës.

“Institucionet e sigurisë  në veri të Kosovës janë ende larg të qenit akterë kryesorë në ruajtjen e sigurisë në vend dhe qetësisë publike në veri të Kosovës”, tha tutje Isami.

Edhe, njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë dhe njëherësh banor i veriut të Mitrovicës, Florent Azemi, vlerësoi se gjendja e sigurisë në këtë pjesë të vendit është e brishtë.

Ai tha se shqiptarët në veri të vendit nuk kanë më asnjë besim ndaj institucioneve vendore.

Digjen dy automjete në veri
Lexo po ashtu Digjen dy automjete në veri

Sipas tij, qeveria Haradinaj duhet të merret seriozisht me veriun dhe të përkujdeset për shqiptarët e veriut, ashtu si kujdeset Beogradi për serbët.

Meqë në veri të vendit janë të pranishëm edhe policët shqiptarë, ai u shpreh se në sy të qytetarëve ata nuk paraqesin profesionalizëm dhe për këtë ai thotë se policia në veri të Kosovës duhet të reformohet.

“Policët që janë aktualisht nga komuniteti shqiptarë duhet të reformohen pasi në sytë e qytetarit nuk kanë cilësi profesionale. Në veri përpos reformimit të policisë, duhet edhe të shtohet numri i tyre pasi që nuk po i përmbushin kërkesat për lagjet multi-etnike. Policia në veri i shërben politikës ditore e çka është më e keqja kemi numër shumë të vogël të policëve shqiptarë në lagjet multi-etnike”, vlerësoi Azemi.

Banorët e veriut të Mitrovicës kërkojnë siguri nga institucionet e vendit
Lexo po ashtu Banorët e veriut të Mitrovicës kërkojnë siguri nga institucionet e vendit

Ai potencoi një tjetër shqetësim, e që sipas tij, është papunësia totale e banorëve shqiptarë, ku disave sipas tij u janë ndal edhe ndihmat sociale.

“Nga ana tjetër çdo familje serbe stimulohet nga Serbia me ndihmë sociale e cila ka cilësinë e një page në Kosovë. Shqiptarëve nuk u lejohet kthimi dhe rindërtimi i shtëpive në veri kurse serbët ndërtojnë objekte kolektive pandërprerë”, theksoi tutje ai.

Ndërsa, banori i lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, Denis Çaushi, në një prononcim për Telegrafin shprehu shqetësimin e tij, duke thënë se situata është keqësuar dukshëm.

Çaushi tha se mungesa e sigurisë vazhdon të jetë sfidë.

Ai si banor i veriut të Mitrovicës tregoi se janë pajtuar që komuniteti serb të integrohet në institucione të Kosovës, mirëpo duke mos lënë anash edhe shqiptarët që jetojnë në veri të vendit.

“Sfidë mbetet ende siguria ngase është primare për një shtet i cili i thotë vetes shtet. Sfidë tjetër është papunësia. Ne kemi qenë të pajtimit që serbët të integrohen në institucione të  Kosovës por duke mos lënë anash edhe shqiptarët të kësaj pjesë. Papunësia e banorëve shqiptarë mbetet brengë e dytë pas sigurisë, ngase papunësia vështirëson edhe jetesën në këtë pjesë. Serbët kanë shumë arsye pse qëndrojnë në veri, ngase kanë përkrahje nga Beogradi, ndërsa shqiptarët që katër vite janë lënë anash nga institucionet kosovare”, ka thënë ai.

Çaushi po ashtu u dërgon një mesazh institucioneve të Kosovës që si pakicë që janë në veri të vendit të respektohet e drejta e punësimit që iu takon.

“Këto probleme gjithashtu ia adresoj edhe komunës së veriut, përkatësisht kryetarit të kësaj komune Goran Rakiq, ku e ftoj t’i respektoj të drejtat e shqiptarëve në këtë pjesë dhe të jetë i barabartë për të gjithë nacionalitetet”, theksoi banori i veriut të Mitrovicës, Denis Çaushi. /Telegrafi/