LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët fshijnë pikturën murale të artistit italian

Shqiptarët fshijnë pikturën murale të artistit italian

Gruaja, si “shtojcë” e burrit. I bashkon një dorë plastike, zgjatim i një zgjedhe lidhur në qafën e saj. Ishte kjo simbolika e përdorur, si ftesë për reflektim ndaj diskriminimit femëror, në një pikturë murale në zonën e Tiranës së Re. Autori është artist italian i njohur me emrin e artit “NemO’s”. Vepra e tij e cila u fshi ishte kthyer në objekt debatesh në kryeqytet.


E realizuar në kuadër të edicionit të dytë të “MurAL Fest”, ende pa u përfunduar banorët nisën të shprehin pakënaqësi. Sipas tyre, një vizatim i tillë në faqen e pallatit ngjallte trishtim, si dhe trembte fëmijët. Në mural burri paraqitej me një shikim kërcënues, e gruaja, një hap pas tij, me një portret të përvuajtur. Ankesat e denoncimet verbale të muralit, u pasuan pak ditë më pas nga një akt vandal.

Një grup të rinjsh, dhunojnë këtë copëz të artit të rrugës, duke qëlluar me bojë në drejtim të saj. Poshtë muralit mbin mbishkrimi “Shame on you Rama-Veliaj” (T’ju vijë turp Rama – Veliaj).

Pas kësaj, artistët pamorë pozicionohen në krah të kolegut. Gentian Shkurti, përkrahës i veprave të tilla kur realizohen jashtë autoritetit shtetëror, u shpreh se :”Jetojmë në çmendinë! Shteti bën murale tipike për artistë ‘underground’ dhe që i fshihen atij, e mileti i dëmton duke marrë rolin e shtetit që i përndjek ata! Anapolla si në botën e Lizës”.

Pikërisht për faktin se ky mural është mbështetur në kuadër te Festivalit nga Bashkia e Tiranës, për vandalizmin e fotografuar, të tjerë shprehen mosbesues.

Ndërsa, artisti Ergin Zaloshnja doli kundër sulmit ndaj artit që ka një qëllim në vetvete, e u shpreh se shqetësimi duhet të lindte për muralet e tjera, që përtej çlirimit të ngjyrave nuk kanë asnjë funksion social. “Irritohen nga një vepër që demaskon patriakalizmin shoqëror dhe nuk shqetësohen nga një dekorim banal!”, shprehet ai, duke ju referuar shqiptarëve, për rastin në fjalë.

Fotoja e vajzës së re, duke qëlluar në drejtim të çiftit simbol të patriarkalizmit, ka tërhequr edhe vëmendjen e vetë autorit: “Më erdhi keq, që njerëzit, veçanërisht gratë e panë si fyerje. Në mënyrë paradoksale janë indinjuar më shumë për një vizatim, sesa për realitetin që ato vetë jetojnë”, u shpreh ai pak ditë, pas realizimit të murales për “Panoramën”. /Panorama/