Shqipëria do ta ndihmojë Kroacinë me 250 mijë euro, pas tërmeteve që kanë goditur shtetin kroat gjatë të martës dhe të mërkurës. 

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një postimi në Twitter shkruan se ka firmosur dekretin për të ndihmuar “vëllezërit e Kroacisë në rilindjen e Petrinjës.”


"Sapo nënshkrova dekretin e Qeverisë së Shqipërisë për të dhuruar 250 mijë euro Kroacisë vëllazërore për të ndihmuar rilindjen e Petrinja pas tërmetit shkatërrues.  Kroacia është një shembull i rezistencës dhe një model për ne në transformimin e saj të mahnitshëm në një vend krenar të BE-së", ka shkruar ai në Twitter.

Kroacia u godit nga një tërmet i fortë gjatë ditës së martë. Sipas mediave kroate, në orën 12.19 pasdite, sizmologët regjistruan një tërmet shkatërrues me një epiqendër pesë kilometra në jugperëndim të Petrinja – në një thellësi prej 11.5 kilometra.

Madhësia e tërmetit ishte me fuqi prej 6.2 sipas Richter.

Por siç raportojnë mediat kroate, në periudhën nga 12.23 deri në 12.58, ndodhi numri më i madh i tërmeteve pasuese, madje 10 – me fuqi më të mëdha se 3 të shkallës Rihter.

Si pasojë e këtyre tërmeteve është raportuar edhe për viktima dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/