Shqipëria ishte udhëtimi i parë i Papa Françeskut pas marrjes së detyrës

Udhëtimi i parë i Papa Françeskut jashtë Vatikanit sapo mori detyrën ishte në Shqipëri.
Papa Françesku vizitoi Shqipërinë më 21 shtator në 2014-tën. Papa Prançesku erdhi në Shqipëri 21 vite pas Papës Gjon Pali II. Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.
Gjatë vizitës, Papa Françesku u mirëprit nga qytetarët, krerët fetarë, e politikë, autoritetet e krerët e shoqërisë. Në fjalimin e tij në pallatin presidencial, Papa Françesku vlerësoi bashkëjetesën fetare në Shqipëri.
“Askush të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij. Shqipëria dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”, tha Papa gjatë fjalimit të tij për popullin shqiptar.
Papa zgjodhi Shqipërinë si peizazhin simbolik për t’i dhënë botës një mesazh shumë më të gjerë: lufta kundër ekstremizmit fetar dhe referenca për “globalizimin e solidaritetin”.
Vatikani njoftoi ndarjen nga jeta të Papa Françeskut mëngjesin e kësaj të hëne (21 prill). Ai mbylli sytë përgjithnjë në moshën 88-vjeçare, në rezidencën e tij në Casa Santa Marta të Vatikanit. Papa, emri i të cilit është Jorge Mario Bergoglio, ishte diagnostikuar me pneumoni dypalëshe dhe qëndroi disa javë i shtruar në spitalin Gemelli të Romës.
Vdekja e tij vjen një ditë pasi u shfaq në Sheshin e Shën Pjetrit për t’u uruar “Gëzuar Pashkët” mijëra besimtarëve.

















































