Edicioni i sivjetmë i 'Zurich Shqip Up Comedy Festival' pritet të sjellë të qeshura të pandalshme me emra të njohur të skenës së humorit, duke përfshirë një debutues dhe një rikthim shumë të kërkuar nga publiku.

Organizatorët kanë njoftuar se në skenën e festivalit do të ngjitet për herë të parë Luan Comedy, një nga emrat më të veçantë të stand-up-it në Gjermani.


I njohur për batutat me stil, energjinë shpërthyese dhe karizmën e tij unike, ai tashmë ka bërë për vete publikun në shumë qytete gjermane, ndërsa këtë herë do të sjellë humorin e tij edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër.

Por nuk mbaron me kaq. Pas suksesit të vitit të kaluar, në skenë do të rikthehet edhe T-Ronimo, i njohur për videot e tij humoristike që shpesh kapin miliona shikime në rrjetet sociale.

Performanca e tij në edicionin e kaluar u prit me entuziazëm të madh nga pjesëmarrësit, ndaj me kërkesë të publikut dhe të spektatorëve të rinj, ai do të ketë edhe këtë vit një paraqitje “eksplozive”.

'Zurich Shqip Up Comedy Festival' tashmë ka dëshmuar se është një nga ngjarjet më të mëdha të humorit për komunitetin shqiptar në diasporë, ku batutat nuk njohin kufij dhe çdo natë kthehet në një festë të vërtetë.

Biletat për festival mund të sigurohen nëpërmjet platformës Eventfrog. /Telegrafi/