Pas rastit në Gostivar me cilësinë e ujit, shqetësime për sigurinë e ujësjellësit janë ngritur edhe në disa qytete të tjera të vendit.

Në Vallandovë, qytetarëve u është ndaluar përdorimi i ujit nga rrjeti i qytetit për pije, pasi analizat e Institutit të Shëndetit Publik kanë zbuluar nivel të rritur të arsenit.


Nga ndërmarrja publike e Vallandovës njoftuan se uji mund të përdoret vetëm për nevoja teknike, ndërsa kontrollet dhe analizat shtesë do të vazhdojnë deri në konfirmimin e sigurisë së tij.

Sipas ekspertëve, niveli i regjistruar i arsenikut nuk paraqet rrezik të menjëhershëm për shëndetin në rast të ekspozimit afatshkurtër, por konsumimi për periudha të gjata mund të ketë pasoja.

Ndërkohë, shqetësime janë ngritur edhe në Debërcë, ku është raportuar për derdhje të mundshme të ujërave të zeza në lumin Sateska, ndërsa kërkohet reagim i institucioneve dhe kontrolle në terren. Edhe në Prilep, qytetarët kanë kërkuar analiza shtesë pas publikimit të pamjeve të ujit të turbullt në rrjetet sociale.