Gjykata e Qytetit të Kopenhagenit ka dënuar sulmuesin e Benficës dhe të kombëtares së Norvegjisë, Andreas Schjelderup, me 14 ditë burgim me kusht dhe një vit lirim me kusht, pasi ai pranoi se kishte shpërndarë në Snapchat një video 27-sekondëshe me përmbajtje seksuale që përfshinte një të mitur në vitin 2022.

Ngjarja ka ndodhur kohë më parë, në një periudhë kur 21-vjeçari luante në Danimarkë. Sipas mbrojtjes, Schjelderup e kishte marrë videon pa e kërkuar dhe e shpërndau te disa miq “si një shaka e keqe”, para se ta fshinte menjëherë. Gjykatësi theksoi se lojtari nuk e kishte kërkuar materialin, kishte treguar pendim të sinqertë dhe e përshkroi dënimin si “një karton të verdhë”, ndërsa urdhëroi gjithashtu që ai të paguajë shpenzimet gjyqësore.


Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të ashpër, 20 ditë burg pa kusht dhe një paralajmërim për dëbim nga Danimarka, duke argumentuar se rasti përputhej me vendime të mëparshme. Megjithatë, gjykata vendosi për një masë më të lehtësuar.

Schjelderup u largua nga salla e gjyqit pa dhënë deklaratë, ndërsa avokati i tij, Anders Nemeth, u tha gazetarëve se klienti i tij “nuk po ikën nga përgjegjësia” dhe se nuk kishte asgjë më shumë për të shtuar përveç faljes së dhënë në gjykatë. Lojtari ka 14 ditë kohë për të vendosur nëse do të apelojë vendimin.

Komentatori i NRK-së, Jan Petter Saltvedt, e përshkroi vendimin si një lloj lehtësimi për Schjelderup, i cili së fundmi ishte titullar me Benficën dhe u aktivizua në ndeshjet kualifikuese të Norvegjisë për Kupën e Botës. Ai shtoi se rasti, për shkak të profilit të lartë, mund të shërbejë si një paralajmërim serioz për sportistët e rinj në epokën dixhitale. /Telegrafi/

telegrafi sport app