LAJMI I FUNDIT:

Shpërfaqen pakënaqësitë, çfarë po ndodhë me Listën “Guxo”?

Shpërfaqen pakënaqësitë, çfarë po ndodhë me Listën “Guxo”?

Pavarësisht deklaratës së ministres së Jashtme, Donika Gërvalla se Lista “Guxo”, do të garojë në zgjedhjet e 17 tetorit bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, dega e kësaj liste në Ferizaj ka aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ashtu siç kishin thënë dy ditë më parë, përfaqësues të Listës “Guxo” në Ferizaj kanë bërë kërkesë zyrtare në KQZ për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale 2021, edhe pse nga qendra kishin deklaruar në këto zgjedhje do të garojnë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Përfaqësuesi i Listës Guxo në Ferizaj deklaron se do të kandidojnë në zgjedhje lokale të ndarë nga LVV-ja
Lexo po ashtu Përfaqësuesi i Listës Guxo në Ferizaj deklaron se do të kandidojnë në zgjedhje lokale të ndarë nga LVV-ja

Kështu është bërë e ditur gjatë mbledhjes së KQZ-së, nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim.

“Deri më tani kemi pranuar tri aplikime për certifikim të subjekteve politike. Prej tyre partia politike e regjistruar Lëvizja qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në pjesëmarrje për zgjedhjet në kryetar komune dhe asamble komunale”, u shpreh Vesa Xharra nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Ajo tha se, “Aplikimi tjetër është kandidati i pavarur për komunën e Kaçanikut dhe aplikimi i fundit është Iniciativa “Guxo” që ka aplikuar për certifikim për pjesëmarrje për zgjedhjet në kuvend komunal në komunën e Ferizajt”, tha ajo.

Kjo ndasi në Listën “Guxo”, sipas analistit Fitim Salihu “dëshmon se në esencë kurrë nuk ka ekzistuar një parti serioze me emrin “Lista Guxo”.

Ai ka thënë për Telegrafin se “Ajo ka qenë thjesht një marionetë e Vetëvendosjes në shërbim të shkatërrimit të LDK-së”.

“Në momentin që Vjosa Osmani dhe disa të tjerë i kanë përmbushur ambiciet personale për t’u bërë president, ministra ose deputetë, ata e kanë braktisur bazën e tyre dhe tani mendojnë vetëm për interesat e tyre personale, të cilat do të ishin dhe janë të parealizueshme pa supordinim ndaj Vetëvendosjes dhe Kurtit”, tha Salihu për Telegrafin.

Ai shtoi se “Prandaj, për liderët e Listës “Guxo”, me e rëndësishme është të ruhet raporti mazohist i subordinimit ndaj Kurtit (sepse kësisoj i ruajnë karriget e veta), sesa interesi i partisë së tyre dhe i kuadrove të partisë së tyre nëpër komunat e Kosovës”, shkruan Telegrafi.

Ndryshe, për disa ditë me radhë nga dega e Listës “Guxo” në Ferizaj kanë deklaruar se në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të garojnë me listë të vetën për asamble komunale.

Balton Dërguti, përfaqësues i Listës Guxo në Ferizaj ka thënë se kjo iniciativë do të kandidojë me listë të veten për asamble.

Ai ka thënë se nuk do të garojnë me LVV-në në një listë të përbashkët për këtë komunë.

Mirëpo pas këtyre zhvillimeve ka reaguar ministrja e Jashtme, që është edhe zyrtare e Listës Guxo, Donika Gërvalla.

Ajo përmes një shënimi në Facebook ka thënë se ashtu siç kanë garuar bashkë me LVV-në në zgjedhje parlamentare do të garojnë bashkë edhe në zgjedhje lokale.

“Lista Guxo ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme komunale të marrë pjesë në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka shkruar Gërvalla.

Gërvalla thotë se Lista Guxo përfaqëson ndryshimin, dhe sipas saj nuk bën të bëhen koalicione me partitë tjera pos LVV-së.

Gërvalla: Lista Guxo në zgjedhje komunale shkon në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetvendosje
Lexo po ashtu Gërvalla: Lista Guxo në zgjedhje komunale shkon në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetvendosje

Ndërkaq, dega e Listës “Guxo” në Ferizaj e kundërshtuan këtë deklaratë të Gërvallës, ku në reagimin e tyre thuhej se “ne do të garojmë me 45 kandidatë për Asamblenë Komunale dhe kandidatin për Kryetar të Komunës e kemi lënë të hapur si mundësi”.

Deputeti i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli gjithashtu ka reaguar për zhvillimet e fundit në këtë iniciativë politike.

Zhvillimet në Listën Guxo, Avdyli thotë se pakënaqësitë lidhen me postet e zëvendësministrave
Lexo po ashtu Zhvillimet në Listën Guxo, Avdyli thotë se pakënaqësitë lidhen me postet e zëvendësministrave

Avdyli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se askush nuk mund të flasë në emër të Listës Guxo pa u mbajtur kuvendi.

Duke iu referuar disa deklaratave të disa zyrtarëve të kësaj iniciative në Ferizaj, Avdyli thotë se pakënaqësitë e tyre dalin për shkak se të njëjtët nuk kanë mundur të marrin poste zëvendësministrash.

Kalicionin mes Listës “Guxo” dhe LVV-së në nivel lokal e ka paralajmëruar edhe deputeti nga kjo listë, Haxhi Avdylit, duke thënë se ndryshimi i madh nga koalicioni VV dhe Lista “Guxo” do të ndodhë edhe në nivel lokal, shkruan Telegrafi.

“Mendoj që koalicioni që do ta kemi shumë shpejt mes VV-së dhe Listës sonë, krijon premisa që ndryshimi i vërtet do të ndodhë edhe në nivel lokal”, ka thënë të enjten Avdyli në një televizion.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Balton Dërguti, i cili përmes një postimi në Facebook, e ka akuzuar Haxhi Avdylin se po e gënjen elektoratin e kësaj liste.

“Ta promovosh politiken e liderit historik Ibrahim Rugova dhe të grumbullosh vota te qytetarët me këtë premtim se do ta vazhdosh rrugën e tij,  dhe pastaj të veprosh komplet të kundërtën duke tentuar me çdo kusht ta humbësh frymën rugoviane dhe besimin e qytetarëve që besojnë në politikat e djathta dhe pastaj të punosh për shuarjen e frymës rugoviane dhe transferimin e vullnetit të votuesve te subjektet që përfaqësojnë të majtën duke e tradhtuar elektoratin në mënyrën më të paskrupullt, këtë mund ta bëj vetëm një politikan që aksidentalisht mbanë pozite deputeti e i tillë është Haxhi Avdyli, i cili prapë po e potencoj se është njeriu që ka punësuar familjar në institucione duke shkelur të gjitha premtimet e fushatës zgjedhore “, ka shkruar Dërguti.

Ndaj zhvillimeve në taborin e Listës “Guxo” ka reaguar anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi i cili u ka bërë thirrje ish-anëtarëve të LDK-së që tashmë janë në Listën Guxo të rikthehen në shtëpinë e tyre.

Bislimi tha se arsyeja pse ata janë larguar ka qenë për shkak të lidershipit, ndërsa sot thotë se është një lidership tjetër.

“Arsyeja që ata janë larguar kanë qenë për shkak të lidershipit të LDK-së. Ndërsa tash është ndërruar lidershipi. Do të ishte politikisht korrekte që të gjithë ata përkrahës të rikthehen në LDK, në shtëpinë e tyre”, tha Bislimi.

E këtë ftesë të Bislimit, e ka komentuar edhe Salihu, duke numëruar dy arsye se pse anëtarët e Listës “Guxo”, nuk beson se do të mund të ktheheshin në LDK.

Nuk e besoj se kjo do të ndodhë për dy arsye: së pari, përjashto Vjosa Osmanin, shumica e deputeteve dhe ministrave të kësaj partie kanë qenë anonimusa para 14 shkurtit dhe vetëm përmes raportit mazokist të subordinimit ndaj Kurtit ata mund t’i “meritojnë” dhe mbajnë ato pozita”, u shpreh Salihu.

Tutje ai shtoi se “duke qenë se dalja e tyre ia pati bërë dëmin më të madh që ka mundur t’ia bëjë dikush LDK-së që nga viti 1999, atëherë nuk besoj se eksponentët e listës së Vjosa Osmanit do të mirëpriteshin nga elektorati besnik i LDK-së”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Elfije Boletini
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Lajme
Kalo në kategori