LAJMI I FUNDIT:

Shpendi i krillës për herë të parë shihet edhe gjatë dimrit në Shqipëri

Shpendi i krillës për herë të parë shihet edhe gjatë dimrit në Shqipëri

Regjistrohet për herë të parë në Shqipëri gjatë stinës së dimrit prania e shpendit të krillës, ku 5 individë të këtij lloji, së paku 3 të rritur, janë vrojtuar në rezervuarin e Bulos, Gjirokastër.

Gjatë regjistrimit të shpendëve të ujit këtë vit, ekipi i përbërë nga PPNEA, Qendra “Shpendët e Shqipërisë” dhe AdZM Gjirokastër regjistroi për herë të parë në Shqipëri gjatë periudhës së dimrit praninë e krillës (Grus grus).

Ky regjistrim përfaqëson një vrojtim unik deri më sot, duke qenë se në Shqipëri ky lloj haset vetëm gjatë periudhës së shtegtimit, në tufa relativisht të mëdha dhe kryesisht në zonën bregdetare qendrore dhe veriore të Shqipërisë, bazuar në raportimet e viteve të fundit.


Ndërkohë, në vende të tjera, vrojtimet e këtij lloji gjatë dimrit janë të rralla dhe përfaqësohen kryesisht nga individ të rinj të vetmuar, sikundër është regjistruar një rast i tillë në ishullin e Korfuzit gjatë dhjetorit të vitit 2012.

Krilla është një shpend me përmasa të mëdha, me trup të gjatë deri në 120 cm dhe gjatësi e hapjes së krahëve deri në 222 cm.

Pjesa më e madhe e popullatës së krillës është shtegtare dhe folezon në rajonin zoogjeografik të Palearktikut duke filluar nga Evropa Veriore deri në Kinën Qendrore dhe në lindjen e largët të Rusisë; gjithashtu në Turqi, Kaukaz, Armeni.

Ndërkohë vend dimërimet e njohura të këtij lloji janë Franca, Gadishulli Iberik, Afrika Veriperëndimore dhe Verilindore, Lindja e Mesme, Pakistani, India, Kina Jugore dhe Lindore.

PPNEA njoftoi se ky nuk është rasti i parë me surpriza apo vrojtime të rralla gjatë censit të shpendëve të ujit.

Vlen të përmendet vrojtimi i një individi të lejlekut në Bulo, regjistrimin si dimërues i gjelëzës së madhe në Vjosë-Nartë, çafkës së purpurt në lagunën e Orikumit etj.