LAJMI I FUNDIT:

Shpallet konkurrimi për çmimin “Kadare”

Shpallet konkurrimi për çmimin “Kadare”

Janë shpallur rregullat e reja për edicionin e pestë të konkurrimit për çmimin “Kadare”. Rregullat janë si më poshtë.

FILOZOFIA DHE MISIONI I ÇMIMIT “KADARE”

– Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe. Qëllimi i këtij konkursi është nxitja e të shkruarit të letërsisë shqipe.

– Qëllimi i këtij konkursi është të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi gjykimin dhe inkurajimin e letërsisë shqipe.

NGRITJA DHE PËRBËRJA E JURISË

– Kryetari i jurisë së këtij çmimi duhet të jetë një autoritet me kontribute në fushën e letrave apo të mendimit shqip. Një personazh që të gëzojë integritet të plotë, për t’u angazhuar në një punë dinjitoze në përzgjedhjen e seleksionimin e veprës fituese, që kjo e fundit të ketë të gjitha cilësitë e një vepre të mirë.

– Anëtarët e jurisë së këtij konkursi duhet të jenë emra që kanë shënjuar një kontribut në fushën e letërsisë, kritikës letrare apo studimit.

– Juria e përbërë nga kryetari dhe anëtarët shpërblehen sipas një honorari që vendoset nga Instituti Europian “Pashko”. Ata angazhohen që në fund të këtij procesi të dorëzojnë nga një recensë për secilën nga pesë veprat e kaluara në fazën finale.

– Bordi i Institutit “Pashko”, në kuadër të filozofisë së tij, ruan të drejtën të zgjedhë një prej pesë finalistëve si fitues të çmimit “Kadare”, për të mbështetur një kategori: tematik, brez, brez- autorësh, apo zhanre të caktuara letrare.

PROCEDURAT DHE AFATET

– Veprat pjesëmarrëse në këtë konkurs duhet të jenë në dorëshkrim (të pabotuara më parë).

– Konkursi hap siparin të premten e parë të marsit dhe finalizohet me Ditët Letrare të Razmës, të dielën e parë të qershorit. Shpallja e fituesit shoqërohet në këto ditë me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit.

– Çdo autor që kërkon të jetë pjesë e këtij konkursi duhet të dorëzojë pranë adresës së bërë publike nga juria, një sinops (jo më shumë se dy faqe) mbi veprën e shkruar, bashkangjitur me 15 faqet e para të dorëshkrimit.

– Nga sinopset dhe dorëshkrimet e mbërritura pranë jurisë, kjo e fundit ka të drejtë që pas shqyrtimit me kujdes të secilës prej tyre, të zgjedhë vetëm 10 prej tyre për të qenë pjesë e garës së çmimit “Kadare”.

– 10 autorët e përzgjedhur për të vazhduar garën, duhet të dorëzojnë brenda pesë ditëve nga shpallja e emrave të tyre si fitues, dorëshkrimet pranë adresës së bërë publike nga juria.

– Në ditët e para të majit, juria bën publike fazën e dytë të konkurrimit, vetëm pesë veprat e përzgjedhura nga 10 pjesëmarrëse për të vazhduar garën për çmimin e madh.

TË DREJTAT  E FITUESIT

– E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës Leteratura.

– I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe Ditët Letrare të Razmës.

PROMOVIMI I VEPRËS FITUESE DHE I PESË VEPRAVE FINALISTE

– Autori, fitues i çmimit “Kadare”, angazhohet të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”.

– Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve.