LAJMI I FUNDIT:

Shpallen terroriste organizatat serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”

Shpallen terroriste organizatat serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes i ka shpallur terroriste organizatat serbe “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – të cilat operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Çka bëjnë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që Kosova do t’i shpallë terroriste?
Lexo po ashtu Çka bëjnë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që Kosova do t’i shpallë terroriste?

Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se këto dy organizata paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë.


“Bazuar në vlerësimin e institucioneve të sigurisë, këto formacione ilegale paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë. Për këtë e nisur nga fakti se kërcënimi ndaj rendit juridik e kushtetues ndaj vendit tonë është i pakompromis e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pa dallim, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ shpallen organizata terroriste”, u shpreh ai.

Ky propozim i Qeverisë u kundërshtua nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili kërkoi nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që ta rishqyrtojë propozimin, e të mos “merren vendime të ngutshme”.

“Disa propozime janë të ngutura dhe mendoj se duhet të ecim me shumë kujdes. Me respekt ndaj jush ministër, ju jeni punëtor. Ju lus që nëse ka mundësi sërish të mendoni që edhe një herë të shohim këtë propozim dhe vendim, sepse frikësohem se do të ndahemi nga bashkëbiseduesit tanë në veri. Qasja e tillë do të na largoj shumë”, tha Rashiq.

E Sveçla iu përgjigj se shpallja e këtyre organizatave si terroriste është kruciale për qytetarët.

Ai gjithashtu tha se ky vendim nuk i prek pjesëtarët e këtyre dy organizatave që janë integruar më herët.

“Ky vendim nuk prek askënd i cili deri në momentin e shpalljes së organizatave terroriste ka qenë pjesë e këtyre organizatave e nuk ka kryer vepra penale tashmë. Pra, nuk vihen në rrezik pjesëtarët e këtyre organizatave që janë integruar më herët”, deklaroi ministri. /Telegrafi/