Po vazhdojnë sulmet verbale ndërmjet deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk po mbështesin Bekim Sejdiun për president dhe liderit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Pas deklaratave të Arben Gashit e Armend Zemajt, ka reaguar sot edhe deputetja tjera, Janina Ymeri.


Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se “në videot propagandistike të Vetëvendosjes do të shihni edhe deklaratat e z. Abdixhiku duke sulmuar deputetët e tij”.


Lexoni të plotë postimin e saj:

Nga sot, në videot propagandistike të Vetëvendosjes do të shihni edhe deklaratat e z. Abdixhiku duke sulmuar deputetët e tij, ndonëse ky i fundit është kryetar i LDK-së dhe jo i Vetëvendosjes.

Përveç sulmeve, ka edhe veshje të deklaratave tërësisht të pavërteta, në këtë rast për mua.

E para, ferizajasit nuk flasin me "s'nDi"... kush më njeh e di se si flas.

E dyta, as që i kam përmendur Këshillin, Kryesinë apo Kuvendin, e aq më pak të kem thënë se nuk i respektoj. Si mund të thoja diçka të tillë, kur vetë jam pjesë e Këshillit të Përgjithshëm?


Përkundrazi, kam shprehur kundërshtimin tim për kandidaturën presidenciale, për shkak se jam deklaruar që para zgjedhjeve kundër votës për VV-në, por edhe për shkak të profilit të kandidatit.

Për më tepër, e kam përmbyllur deklaratën duke thënë se i kam parasysh pasojat nga organet e partisë dhe i respektoj ato, por ky mbetet qëndrimi im.

Se pse është ndjerë në hall kryetari i partisë sime për të shpikur deklarata të paqena nuk e di, por unë kam dëshmitarë 15 deputetë të tjerë, 1 anëtar kryesie dhe 2 persona nga stafi i selisë, të cilët ishin të pranishëm në sallë.

Këtë postim nuk e bëra për t'u arsyetuar, se fundja dëshmitar kam Zotin, që është më se i mjaftueshëm, por dua t'i tregoj gjithsecilit se çfarë ndodh dhe si ndryshojnë njerëzit në luftën pro dhe kundër mafisë e së keqes.

Thënë këtë, jam e sigurt se përtej kësaj skene negociatash po fshihet një hall i madh, që mund të jetë lirisht edhe bixhozi i këtij shteti: tregtia me energjinë elektrike. /Telegrafi/