eksperti-banner

Janë shpallur projektet fituese për Memorialin Përkujtimor “Adem Jashari”, i cili do të ndërtohet në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se koncepti i vlerësuar me vendin e parë nga komisioni profesional do të realizohet në kryeqytet dhe do të përfaqësojë figurën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificën e familjes Jashari.


“Në zemër të Kosovës, në Prishtinë, do të kumbojë përgjithmonë zëri i Komandantit Legjendar Adem Jashari”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, projekti fitues mban emrin “Zâni i Lirisë” dhe është konceptuar si një simbol i përhershëm i lirisë së Kosovës.

“Janë shpallur projektet fituese për ‘Memorialin Përkujtimor Adem Jashari’. Koncepti i vendit të parë, i përzgjedhur nga komisioni profesional vlerësues, do të marrë jetë në kryeqytetin e Kosovës, duke bartur me vete peshën e jashtëzakonshme kombëtare, historike dhe emocionale që përfaqëson figura e Komandantit Legjendar dhe familja historike Jashari”, ka thënë ai.

Rama ka theksuar se memoriali “Zâni i Lirisë” është frymëzuar nga mesazhi dhe qëndresa e Adem Jasharit.

“Memoriali ‘Zâni i Lirisë’, është vala e zërit që sfidoi frikën, pushtimin dhe vdekjen, për t’i dhënë Kosovës të drejtën të jetojë e lirë”, ka shkruar ai.

Kryetari i Prishtinës ka shtuar se projekti është frymëzuar edhe nga fjalët e njohura të Adem Jasharit.

“I frymëzuar nga fjalët e pavdekshme të Adem Jasharit ‘Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë’, ky memorial e shndërron zërin e tij në një simbol të përjetshëm të lirisë, që do të jehojë në kohë dhe në hapësirë”, ka deklaruar Rama.

Ai ka vlerësuar se memoriali do të shërbejë si një kujtesë e përhershme për sakrificën në rrugën drejt lirisë së Kosovës.

“Sepse ka zëra që nuk shuhen kurrë. Ata jetojnë në kujtesën e një kombi dhe në zemrën e një shteti të lirë”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/