LAJMI I FUNDIT:

Shoqata “Peja” në New York, derë e hapur për dy dekada për familjet në nevojë (Foto)

Shoqata “Peja” në New York, derë e hapur për dy dekada për familjet në nevojë (Foto)

Për shkak të situatës politike dhe gjendjes së rëndë sociale në Kosovë, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 20 vjet më parë formoi Shoqatën humanitare “Peja” në New York, me seli në Bronx, me të vetmin qëllim, t’ju ndihmojë qytetarëve në Kosovë.

Komuniteti shqiptar në këtë pjesë të Amerikës, përpos që ndër të parët kishte hapur shkollën shqipe, e panë të arsyeshme edhe formimin e Shoqatës “Peja”, e cila u themelua më 27.08. 1998, për të zhvilluar aktivitetet që janë në dobi të komunitetit shqiptar.


Protagonistët që ishin pjesë e formimit të kësaj shoqate para dy dekadave, flasin me entuziazëm për punën, sfidat dhe angazhimet që kanë bërë deri më tani, por edhe për prioritetet që kanë në të ardhmen, gjithmonë duke ndihmuar qytetarët në vendin e tyre të origjinës.

Përpos që ishte njëri ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe në Bronx dhe kryetar i parë i Shoqatës “Peja”, nga viti 1998 deri në vitin 2014, Agim Çavdarbasha, tani kryetar nderi i Shoqatës, deklaroi për Telegrafin se nga koha që ai ka qenë në krye të shoqatës, kanë arritur të kontribuojnë me një shumë financiare prej 200 mijë dollarë, për qytetarët në nevojë në Pejë e rrethinë.

Kurse, kryetarja e grave të Shoqatës “Peja”, Mensure Llonqari, tha për Telegrafin se pjesëmarrja e grave në shoqatë është e kënaqshme, duke patur parasysh, obligimet e tjera që ato kanë.

Ndërkaq, për Ramiz Kelmendin, kryetar i Shoqatës “Peja” nga 1 janari i vitit 2014, deri më 1 janar të vitit 2018, detyrë kryesore e tij dhe anëtarëve ka qenë rritja e numrit të anëtarësisë në shoqatë, për shkak se, sipas tij, një kohë ishte zbehur interesimi i komunitetit shqiptar këtu, që të jenë pjesë e shoqatës.

Por, për kryetarin aktual të Shoqatës “Peja”, Rejmond Zeka, ka qenë 20 vjetori i Shoqatës “Peja”, që më së shumti e ka veçuar punën dhe angazhimin e deritashëm të secilit, sa i përket çështjes humanitare, dhe për këtë, ai ka përmendur ndarjen e mirënjohjeve për ata persona që janë angazhuar dhe ka dhënë kontribut për komunitetin në përgjithësi.
Në anën tjetër, Blerim Koqani, anëtar i Shoqatës “Peja”, i cili njihet edhe si lobues i shoqatës, tha për Telegrafin, se në vazhdimësi do të jetë zëri i thirrjes për të gjithë ata që hezitojnë të jenë anëtarë të shoqatës. Ai është shprehur optimist se viti 2019, do të jetë vit i rritjes së anëtarëve të shoqatës, e po ashtu edhe i angazhimit më të madh të tyre, për të ndihmuar qytetarët në nevojë në Kosovë.

Ndërsa, Adriatik Shala- sekretar i Shoqatës “Peja”, thotë për Telegrafin se e veçanta e punës së shoqatës është që tashmë në mënyrë tradicionale, dy herë në vit, të dërgojnë pako ushqimore për familjet në nevojë në Pejë dhe rrethinë.

Puna e Shoqatës “Peja” ndër vite

Shumë bashkatdhetarë në atë kohë, sipas Agim Çavdarbasha, tashmë kryetar nderi i Shoqatës “Peja”, kanë qenë të gatshëm në mënyrë individuale të japin maksimumin nga vetja, si kontribute, “por që nuk kanë ditur të orientoheshin se ku t’i dërgojnë ndihmat, prandaj edhe për shkak të kësaj formuam shoqatën”.

“Gjendja e pashpresë në Kosovë në atë kohë, bëri që ndërmorëm iniciativën që fillimisht të formojmë një Këshill për ndihma humanitare, dhe t’i bashkojmë të gjitha forcat, që të ndihmojmë qytetarët në Kosovë. Pas kësaj, i gjithë komuniteti shqiptar ishin në përkrahje të iniciativës sonë”, tha ai, duke kujtuar se në atë kohë që ishte pothuajse gjendje lufte, kanë ndërmarrë shumë iniciativa për të ndihmuar qytetarët tanë, pasi që kishte shumë shpërngulje nga Drenica drejt vendeve të ndryshme të Dukagjinit, e sidomos një fluks më i madh ishte drejt qytetit të Pejës.

Ai tregon se vetëm për një kohë të shkurtër, në fillim, kanë arritur t’i mbledhin gati 44 mijë dollarë, vetëm e vetëm për të ndihmuar qytetarët.

“Pasi që kërkesat ishin shumë të mëdha të qytetarëve tanë atje, vendosëm që nga Këshillit, të kalojmë në formimin e një Shoqate, ku bashkarisht u dakorduam që kjo të quhet Shoqata humanitare “Peja”. I gjithë komuniteti më besoi që unë të jem në krye të Shoqatës, ku edhe u emërova kryetar i saj dhe zgjodhëm edhe Kryesinë në atë kohë prej 7 anëtarëve. Nga ky hap shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne në atë kohë, por për të gjithë komunitetin, krijuam përpos statutit edhe një fond të veçantë, për mbledhjen e ndihmave për qytetarët në nevojë në Kosovë, e që gjatë asaj kohe, kërkesat ishin në rritje të vazhdueshme, por që ndihmuam me aq sa kishim mundësi”, tregon Çavdarbasha.

Pas përfundimit të luftës, gjendja në Kosovë, ishte jashtëzakonisht e vështirë, më shkatërrim total të shtëpive. Por, Shoqata “Peja, më një vullnet të madh të komunitetit në përgjithësi, ka ndihmuar në vazhdimësi qytetarët në vendin e origjinës.

Përpos kësaj, Shoqata “Peja”, sipas Çavdarbashës, iu ka ndihmuar qytetarëve nga Kosova vazhdimisht edhe sa i përket shërimit nga ndonjë sëmundje e rëndë, por edhe sistemimit të qytetarëve në New York, duke nju siguruar vendstrehim dhe vende pune.

“Deri sa unë kam qenë kryetar i Shoqatës, pra nga viti 1998 deri në vitin 2014, kemi arritur të kontribuojmë me një shumë prej më shumë se 200 mijë dollarë. Një pjesë e këtyre parave ka shkuar si mbështetje për familjet në nevojë, familjeve të dëshmorëve, duke iu ndarë nga 200 dollarë për muaj, 10 familjeve të tilla, të cilët kishin një gjendje të rëndë sociale, pasi që lufta e kishte bërë të vetën, dhe i gjithë vendi ishte i shkatërruar pothuajse”, theksoi ai.
Po ashtu, përpos mbështetjes dhe ndihmës që ua kanë dhënë qytetarëve në Kosovë, kjo Shoqatë, ka ndihmuar edhe me mjete financiare, ardhjet e shpeshta në ShBA, të ish-presidentit Ibrahim Rugova, shoqatave të tjera dhe kanë ndihmuar edhe fondin “Vendlindja Thërret”, “Lidhjen e Prizrenit”, dhe shumë të tjerë, me të vetmin qëllim që të jenë pjesë e ndihmës për qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq, Ramiz Kelmendi, kryetar i Shoqatës “Peja” nga 1 janari i 2014, deri me 1 janar të vitit 2018, thotë se për këto katër vite sa ai ka qenë në krye të shoqatës, detyrë kryesore e tij dhe anëtarëve, ka qenë rritja e numrit të anëtarëve në shoqatë, për shkak se, sipas tij, një kohë ishte zbehur interesimi i komunitetit shqiptarë këtu, që të jenë pjesë e shoqatës.

Ndër arsyet për këtë Kelmendi përmend atë të ndërrimit të vendbanimeve të disa familjeve të komunitetit, ku disa kanë qenë me vendbanim më larg, e disa të tjerë nuk kanë qenë të informuar sa duhet për shoqatën dhe të atillë, që për shkaqe të ndryshme që vetëm ata i dinë, nuk kanë pas dhe nuk kanë dëshirë të jenë pjesë e shoqatës,.
Sa i përket kërkesave që shoqata ka, ai tha se prej vitin 2014 deri në përfundim të mandatit të tij në 2018, ka pasur kërkesa shumë të mëdha për të ndihmuar qytetarët në Kosovë, bile-bile ka pasur rast kur për një kohë shumë të shkurtër është dashur të mobilizohen për një kërkesë të caktuar, sigurisht për ndihmë.

“Kemi pasur raste që jo vetëm në Pejë kemi ndihmuar familje, por edhe jashtë Pejës, si rasti i një luftëtari i UÇK-së, nga fshati Prapashticë i Komunës së Prishtinës, të cilin e kemi ndihmuar me një shumë të konsiderueshme të mjeteve financiare”, tha për Telegrafin Kelmendi, duke bërë të ditur se “gjatë aktiviteteve që kemi organizuar si shoqatë, si ndejave dhe piknikëve të ndryshme, kemi arritur t’i bindim edhe atë pjesë të komunitetit që nuk kanë qenë pjesë e shoqatës, të jenë në mesin tonë dhe t’i ndihmojmë më shumë njëri-tjetrit”.

“Porosia ime për këto katër vjet në vazhdimësi ka qenë thirrja për tu bashkuar më shumë në Shoqatë, pasi që sa më shumë që të jemi, mund të ndihmojmë më tepër. Unë I falënderoj të gjithë për bashkëpunimin dhe njëherësh për ndihmën që kanë treguar, gjithmonë kur ka qenë nevoja, edhe të atyre shqiptarëve që nuk janë pjesë e Shoqatës, pasi që ata në vazhdimësi më kanë përkrahur në të gjitha kërkesat e mija për ndihmë qytetarëve.

Ai veçoi se Shoqata “Peja” i ka beneficionet e veta duke thënë se është e mirë për komunitetin, është e mirë për fëmijët tanë. “Nesër p.sh. ata mund të takohen diku, e pse shoqata të mos jetë një pikë takim për ta, pra të njohin me njëri tjetrin”.

Në anën tjetër, Rejmond Zeka, kryetar aktual i Shoqatës “Peja”, pra nga janari i vitit 2018, thotë se “në vitin 2018 më shumë jemi marrë me riorganizim të Shoqatës, me Kryesinë e re, ku secili anëtar i Kryesisë i ka detyrat e veta, në mënyrë që shoqata të veprojë në mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë”.

Ai tha se më rastin e 20-vjetorit të themelimit të shoqatës janë ndarë mirënjohje edhe për ata persona që nuk janë pjesë e shoqatës, por që me angazhimin e tyre kanë kontribuuar për çështjen kombëtare dhe për komunitetin.

“Me mirënjohje, jashtë shoqatës, përveç ish kryetarëve dhe kryetares se grave të shoqatës, i kemi nderuar edhe pesë personave të tjerë, dhe jemi munduar që çdo njërit t’ia gjejmë nga ndonjë profil të ndryshëm, për angazhimin e tyre.
“Sebahate Berlajollit, këngëtarja e njohur e muzikës shqipe, është nderuar për angazhimin e saj në komunitet sa i përket aspektit kulturor. Albana Krasniqin, një humaniste e ‘Gift of Life’, është nderuar për kontributin e saj të jashtëzakonshëm për shërimin e fëmijëve të Kosovës. Këshilltari Mark Gjonaj, është nderuar për punën që e bën për bashkimin e komunitetin shqiptar, punë kjo e tij që vlen për t’u vlerësuar edhe prej shoqatave tjera, jo vetëm nga shoqata jonë. Fadil Berishës, fotografi i mirënjohur, është nderuar për punën e madhe të tij për komunitetin shqiptar, sa i përket aspektit humanitar dhe Musa Dakaj, një veprimtar i çështjes kombëtare është nderuar për kontributin e tij para luftës e po ashtu edhe pas luftës”, shpjegoi Zeka.

Ai shtoi se edhe pse shoqata ka bërë një punë të jashtëzakonshme për këto 20 vjet, “ne prapë synojmë që duhet punuar më shumë, sidomos në sensibilizimin e shoqatës, në rritjen e anëtarësisë, që është qëllimi kryesor gjatë këtij mandate dyvjeçar”.

Duke folur për prioritete e viti 2019, Zeka, tha se “prioritet i yni është rritja e anëtarësisë, pasi që shoqata është e nevojshme për komunitetin këtu, në mënyrë që ti ndihmojmë njëri-tjetrin. Ai tha se prapë do të vazhdohet me dhënien e ndihmave, me aq mundësi që kemi, dhe njëherit prioritet tjerët, sipas tij, është bashkëpunimi sa më i ngushtë me Shoqatat tjera këtu, e sidomos bashkëpunimi me Këshilltarin Mark Gjonaj.

Për Adriatik Shalën, sekretar i Shoqatës “Peja”, nga janari i vitit 2018, detyra e tij është organizim i çdo nisme të Shoqatës, qoftë për ndonjë piknik, mbledhje e veçantë në shoqatë, apo edhe për ndonjë aktivitet tjetër.
Kurse, Blerim Koqani, anëtar i Shoqatës “Peja”, nga viti 2006, thotë se më shumë dëshirë dhe vullnet është bërë pjesë e kësaj shoqate, vetëm e vetëm për t’i ndihmuar komunitetit për nevoja që ata kanë, e po ashtu qytetarëve në Kosovë.

Ai e pranon se në fillim, kanë patur vështirësi, sepse Shoqata “Peja”, i ka respektuar të gjitha shoqatat e tjera, por që ka munguar respekti anasjelltas.

“Bashkëpunimi me shoqatat e tjera nuk ka qenë i kënaqshëm, edhe pse sa herë që është kërkuar nevoja për ndonjë ndihë ose prezencë tonën tek shoqatat tjera, ne kemi qenë aty”, tha ai.

Bashkimi i komunitetit rreth Shoqatës “Peja”

Se sa është bashkuar komuniteti rreth Shoqatës “Peja”, kjo sipas themeluesve të shoqatë, është më se evidente, pasi që, sipas Agim Çavdarbashës, me punë të palodhshme Shoqata “Peja” gëzon një respekt të madh në komunitet, ku pas “Vatrës”, kjo shoqatë është e dyta me respektove në komunitet.

“Mund të them se jemi angazhuar mjaftueshëm, por siç thuhet ‘kurrë nuk është mjaft’. Jemi pak të pakënaqur me funksionimin e shkollës shqipe, ku ka ngecje dhe nuk ka shumë përkrahje nga të tjerët, që të funksionojë si duhet. Për këtë kemi kërkuar vazhdimisht ndihmë nga të gjithë për shkollën, por nuk ka qenë e mjaftueshme përkrahja. Po ashtu, kemi marrë një iniciativë për formimin e një Qendre Kulturore të shqiptarëve, por që as kjo nuk është realizuar asnjëherë, edhe përkundër premtimeve të vazhdueshme të shoqatave tjera, dhe të udhëheqësve lokal se do të bëhet”, tha ai, për Telegrafin.

Megjithatë, Çavdarbasha, nuk ka harruar të përmend edhe mbështetjen morale, që Shoqatës ia ka dhënë “Radio Dukagjini”, duke cekur në veçanti atdhetarin e madh të çështjes kombëtare z. Riza Lluka, i cili, sipas Çavdarbashës shumë herë i ka bërë publike, kontributet angazhimin dhe ndihmat, duke informuar qytetarët e Pejës dhe rrethinës.

“Angazhimi dhe kontributi ynë i vazhdueshëm nuk ka patur si qëllim që të krijojmë emër, e as të lavdërohemi, por vetëm e vetëm të ndihmojmë qytetarët në nevojë. Shoqata jonë nuk ka hezituar në asnjë moment, t’iu del në ndihmë qytetarëve të vet edhe më ndërtimin e shtëpive, ku shpesh herë kemi qenë donator të ndërtimit të shtëpive për qytetarët që nuk kanë pasur kulm mbi kokë”, tha ai, duke shtuar se kanë ndihmuar shumë herë edhe Shqipërinë, duke përmendur rastin e vërshimeve në qytetin e Shkodrës.

Për Adriatik Shalën, sekretar në Shoqatën “Peja”, bashkimi i komunitetit ndonjëherë has në vështirësi, por jo shumë, pasi që ka shumë të atillë që janë të angazhuar më punë tjera.

Shala tregon për Telegrafin dy raste shumë të rëndësishme të aktiviteteve të kësaj shoqate.

Sipas tij, njëra ka ndodhur me 15 maj të viti 2018, në New York, ku në një piknik të organizuar nga shoqata kanë marrë pjesë mbi 200 pjesëmarrës të komunitetit shqiptar të New York-ut, e në mesin e tyre 60 fëmijë të moshave të ndryshme, që janë socializuar ndërmjet veti, duke u njohur më mirë me njëri – tjetrin

Aktiviteti tjetër, sipas Shalës, që është organizuar për herë të parë për festat e fundvitit, me 28 dhjetor, ka qenë edhe një takim tjetër njohës me fëmijët e të gjithë atyre që janë anëtarë të shoqatës. Në këtë aktivitet ai bëri të ditur se do të marrin pjesë më se 30 fëmijë të moshave të ndryshme.

“Në këtë mënyrë po mundohemi, që sadopak fëmijët të njihen me njëri tjetrin, të socializohen me njëri tjetrin, dhe mos ta harrojnë vendin e origjinës, ku në këtë formë po mundohemi që fëmijët tanë, mos të rrëshqasin drejt asimilimit”, tha ai.

Sa i përket aspektit humanitar, Shala thotë se “në qershor të këtij viti të kaluar kemi mbledhur mjete financiare për disa familje të varfra në Pejë dhe rrethinë, ku janë ndihmuar 130 familje”.

Ai për Telegrafin, ka thënë se shpërndarja e këtyre ndihmave jo vetëm në qershor, por edhe tani për fundvit, ku janë ndihmuar 205 familje në nevojë, është realizuar në bashkëpunim me Shoqatën bamirëse “Bereqeti”, Shoqatën ‘Gjurmët e Pejës”, nga Peja.

“Prej 205 pakove me ushqime, në vlerë prej 8 mijë eurove, 30 pako i kemi dhënë për Shoqatën ‘Gjurmët e Pejës’, ku kjo shoqatë ka marrë përgjegjësinë për shpërndarjen e tyre për 30 familje në nevojë në Pejë, kurse shpërndarjen e 175 pakove të tjera për 175 familje, e ka bërë Shoqata bamirëse“Bereqeti”’, ka theksuar Shala për Telegrafin, duke shtuar se shpërndarja e pakove me ushqime është bërë në Pejë, në Deçan, në Klinë, në fshatrat Brestovik dhe Novosellë, dhe në komunën e Istogut.

Ai ka bërë të ditur, se iniciativa për të ndihmuar familjet në nevojë në vendin e origjinës në mënyrë zyrtare, ka filluar nga ky vit, pra nga viti 2018, e që do të vazhdojë edhe viteve tjera.

“Edhe pse kërkesat janë të mëdha për ndihmë, Shoqata “Peja”, nga New Yorku, po mundohet që me të gjitha mundësitë që ka, t’i ndihmojë familjet në nevojë në Pejë dhe rrethinë”, ka thënë Shala.

Në anën tjetër, Shala përmendi se sa ka qenë kryetar i Shoqatës Ramiz Kelmendi, kemi arritur të mbledhim për 4 vjet, 125 mijë dollarë për të ndihmuar rastet e veçanta sociale, ku në mesin e tyre ka patur fëmijët me aftësi të kufizuara, veteranët e luftës etj.

Përfaqësimi i grave në Shoqatën “Peja”

Për kryetaren e grave të Shoqatës “Peja”, Mensure Llonqari, për katër vjet sa është kryetare, pjesëmarrja e grave në shoqatë nuk është në nivelin e duhur, por sipas saj, është e kënaqshme, duke pasur parasysh obligime e tjera që ato kanë.

“Përpos punës gratë e komunitetit kanë kujdesin edhe për fëmijët, kështu që mund të themi se ardhja e tyre dhe bashkimi në shoqatën e grave lë për të dëshiruar, pasi që ato më herët kanë ardhur më shpesh në numër më të madh”, tha për Telegrafin, kryetarja Llonqari.

Ajo theksoi, se takimi i grave në shoqatë bëhet çdo të premte të dytë, pra dy herë në muaj, ku temë diskutimi janë problemet për fëmijë, pra për gjëra të përditshme, por që nganjëherë dhe gatuajnë ushqimet tona tradicionale,
“Shoqata “Peja” e ka hapur derën e vet, për të gjitha gratë e komunitetit, e në veçanti për ato gra që kanë ardhur këtu më vonë, e që dëshirojnë të jenë pjesë e jona. Mblidhemi këtu për ta takuar njëra – tjetrën, sepse në këtu nuk e kemi askënd, përpos familjes së ngushtë. Këtu shumë herë i organizojmë ditëlindjet e fëmijëve, me të vetmin qëllim, që të jemi prapë njëra tjetrës, dhe që fëmijët të njihen me njëri tjetrin”, theksoi ajo, duke shtuar se në shoqatë, gratë bashkë me burrat, organizojmë edhe ceremoni të tjera, si ditën e nënave 8 Marsin, Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin, etj.

Ajo për Telegrafin përmendi një iniciativë që kanë ndërmarrë bashkë me këngëtaren e njohur Sebahate Berlajolli, për formimin e një kori të grave, me këngë të vjetra qytetare, në mënyrë që gratë e komunitetit tonë të jenë më aktive.

Ajo tha se përfaqësimi i grave është i kënaqshëm pasi që kanë respekt të veçantë për njëra tjetrën, i ndihmojmë njëra tjetrës, për të gjitha kërkesat, problemet apo hallet që ato kanë.

Po ashtu, ajo përmendi edhe një iniciativë tjetër që gratë kanë marrë , atë të grumbullimit të rrobave, këpucëve dhe gjërave tjera, për t’i dërguar në Kosovë, pasi që, siç tha ajo ‘kemi gra që vërtetë i kanë kushtet e jetesës shumë të vështira”.

Për zhvillimet në Kosovës dhe punën e liderëve në institucione

Sa i përket zhvillimeve në Kosovës dhe punën e përfaqësuesve të institucioneve, për ish- kryetarin e Shoqatës “Peja”, dhe tani kryetar nderi, komuniteti shqiptar Agim Çavdarbasha, është i dëshpëruar me punën e institucioneve të Kosovës, sidomos me punën e Qeverisë.

“Jemi shumë të dëshpëruar, me ta, pasi që nga çlirimi i Kosovës e deri më tash, pra për 19 vjet, asnjë përfaqësues politik dhe institucional nuk e ka vizituar Shoqatën ‘Peja’ dhe komunitetin, edhe pse vizitat e tyre janë të shumta në ShBA, pikërisht në New York”, tha ai.

“Institucionet tona në Kosovë për 19 vjet janë të dështuara, pasi që kjo mund të argumentohet shumë thjesht. Nuk kemi përmirësim të mirëqenies sociale, të shëndetësisë, të arsimit dhe nuk ka vende pune për të rinjtë e Kosovës, të cilët çdo ditë po e braktisin vendin”, tha Çavdarbasha, duke shtuar se “përplasjet e përfaqësuesve politikë, jo vetëm në Kuvend, por edhe në institucionet tjera, komuniteti shqiptarë i merr shumë afër zemrës, sepse për një çast mendojmë se për çfarë kemi luftuar, për çfarë kemi kontribuuar dhe për çfarë i kemi institucionet tona”.

Ai tha, se përpos ish-Presidentit Ibrahim Rugova, që ka vizituar në atë kohë shoqatën dhe tani kryetari i tanishëm i Pejës, Gazmend Muhaxheri, askush tjetër nuk i ka vizituar.

“I vetmi lider institucional që na ka ftuar për vizitë në Kosovë, ka qenë residenti Historik Ibrahim Rugova. Porosia e tij e vetme për ne si shoqatë nga ai, ka qenë ‘mbajeni kështu siç jeni shoqatën dhe mos u përzieni me politikë, sepse e keni emrin e madh’”, tha ai.

Ndërkaq, ai përket përkrahjes së Këshilltarët të vetëm shqiptarë në New York, Mark Gjonaj, Çavdarbasha, tha se në vazhdimësi kanë përkrahje nga ai, pasi që është një aktivist dhe atdhetar i madh.

Edhe kryetari aktual i Shoqatës “Peja”, Rejmond Zeka, tha se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, është zero.

“Deri më tani askush nga asnjë institucion nuk është interesuar për shoqatën, për punën tonë, edhe pse kemi kërkuar takime të vazhdueshme”, tha ai.

Ai shtoi se, “edhe pse kemi dëshirë që ti kemi sa më të shpeshta kontaktet më përfaqësues institucional në Kosovë, këta të fundit, asnjëherë nuk kanë shpreh interesim për asgjë”. /Lumturije BEKAJ/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Lajme
“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

Lajme
QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata

QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata "Alwaleed Philanthropies Global" në bashkëpunim me Fondacionin “Jahjaga”

Shëndetësi
Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Lajme
Kalo në kategori