Kualifikimi i Shkëndijës së Tetovës në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës nuk përfaqëson vetëm arritjen më të madhe sportive në historinë e klubit, por njëkohësisht edhe një shtysë të madhe financiare, njofton Telegrafi.

Me hyrjen në grupe, kuqezinjtë nga Tetova, Shkëndija e Jeton Beqirit tashmë kanë siguruar mbi 3 milionë euro, një shumë rekord për standardet e futbollit në Maqedoni.


Sipas sistemit të shpërblimeve të UEFA-s, vetëm pjesëmarrja garanton 3.2 milionë euro. Por të ardhurat nuk ndalen këtu, çdo fitore në fazën e grupeve vlen 400 mijë euro shtesë, ndërsa një barazim sjell 133 mijë euro.

Kjo do të thotë se çdo rezultat pozitiv në grup mund ta rrisë ndjeshëm arkën e klubit, duke i dhënë Shkëndijës stabilitet financiar dhe mundësi për zhvillim afatgjatë. Ky është padyshim kapitulli më i ndritur në historinë e skuadrës tetovare, që tashmë ka vendosur emrin e saj mes elitës evropiane. /Telegrafi/

telegrafi sport app