Shteti rus është akuzuar prej kohësh për përdorimin e helmeve ekzotike për të vrarë kundërshtarët e tij - qoftë agjenti nervor Novichok apo izotopet radioaktive të plutoniumit.

A mund të jetë vrarë Alexei Navalny nga toksina e një bretkose helmuese?


"Mund ta imagjinoj që këto lloj helmesh janë interesante për Rusinë sepse janë mjaft të vështira për t'u zbuluar", tha Dr. Eric Franssen, doktor në Departamentin e Farmacisë Klinike, spitali Onze Lieve Vrouwe Gasthuis në Holandë.

"Sepse në spitale, ne nuk do t'i zbulojmë ato në një kontroll rutinë. Ndaj ndoshta kjo është një mënyrë për të maskuar intoksikimet", shtoi ai.

Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj thonë se toksina rrjedh nga një bretkosë ekuadoriane.

Sky News kuptoi se ka të ngjarë që toksina të jetë prodhuar në laborator dhe jo të jetë marrë nga bretkosat. Tek njerëzit, efektet janë vdekjeprurëse.

Franssen shtoi: "Ne nuk dimë shumë për këto toksina tek njerëzit sepse nuk mund të eksperimentosh, vetëm tek kafshët".

"Por ka pasur raportime se njerëzit mund të vdesin pas 10 deri në 20 minutash nga marrja e kësaj”, vazhdoi ai.

"Kjo mund të bëhet me anë të gëlltitjes ose injektimit në qarkullimin e gjakut. Mendoj se atëherë ka një efekt të drejtpërdrejtë në muskuj dhe në zemër", sipas Franssen.

"Dhe paralizon muskujt, gjithashtu muskujt e frymëmarrjes. Dhe pastaj keni shumë pak oksigjen në gjak. Dhe gjithashtu nga pamjaftueshmëria kardiake, truri juaj nuk merr më oksigjen dhe kjo mund të shkaktojë vdekjen. Të përzierat dhe të vjellat janë efekte anësore të këtyre llojeve të toksinave", tha doktori.

Ndryshe, Navalny ishte një disident politik që sfidoi Putinin. Ai i mbijetoi helmimit me agjentin nervor Novichok.

Kur u kthye në Rusi në vitin 2021, ai u burgos dhe u dënua me akuza të sajuara.

Në dhjetor 2023, Navalny u transferua nga një burg jashtë Moskës në një koloni penale në Veriun e Largët të Rusisë, në Kharp: kolonia e Ujkut Polar, e njohur për kushtet e saj brutale, e aftë të mbajë rreth 1,000 të burgosur.

Pavarësisht këtyre kushteve, Navalny dukej në shëndet të mirë - dhe me humor të mirë - në një paraqitje në gjykatë më 15 shkurt 2025, para vdekjes së tij.

Ai vdiq të nesërmen.

Shpjegimi fillestar rus ishte se humbi ndjenjat pas një shëtitjeje. Trupi i tij iu kthye familjes vetëm tetë ditë pas vdekjes.

Dhe autopsia zyrtare shtetërore arriti në përfundimin se shkaku zyrtar i vdekjes ishte tensioni i lartë i gjakut i shkaktuar nga një ritëm kronik jonormal i zemrës.

Në shtator të vitit të kaluar, e veja e Navanyt, Yulia Navalniya, bëri një zbulim dramatik.

"Në shkurt të vitit 2024 ne arritëm të merrnim mostra të materialit biologjik të Alexeit dhe t'i kontrabandonim ato jashtë vendit në mënyrë të sigurt. Laboratorët në të paktën dy vende i ekzaminuan këto mostra në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe këta laboratorë në 2 vende të ndryshme arritën në të njëjtin përfundim se Alexei u vra, më konkretisht ai u helmua", tha ajo.

Kjo punë laboratorike tani është zbuluar nga Britania dhe aleatët e saj. /Telegrafi/