LAJMI I FUNDIT:

SHGM: Hahn pohon se liria e mediave edhe më tej është prioritet kryesor

SHGM: Hahn pohon se liria e mediave edhe më tej është prioritet kryesor

„Euro-komisari për zgjerim, Johannes Hahn, pohon se liria e mediave ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të agjendës reformuese të Komisionit evropian në suaza të Marrëveshjes për stabilizim asocim. Komisari Hahn në përgjigjen ndaj letrës së kryetarit të Federatës evropiane të gazetarëve, Mogens Bjerregaard, thotë që liria e shprehjes është një nga sferat më të përfshira në listën e Reformave prioritare urgjente, të përpiluar nga Komisioni evropian pas publikimit të skandalit të përgjimit, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Komisari Hahn përkujton që Komisioni evropian vazhdimisht e ka kritikuar mungesën e pavarësisë politike dhe informimin e pa balancuar të shërbimit publik, mungesën e transparencës për reklamimin qeveritar dhe sigurimin e qasjes së papenguar të gazetarëve në informatat e karakterit publik.


Ai thotë që Komisioni evropian vazhdimisht e ka ndjekur situatën me lirinë e shprehjes, ndërsa në raportin vjetor shpreh brengosje serioze për kulturën mediale dhe ambientin politik në të cilin funksionojnë mediat në Maqedoni.

Letra e komisarit Hahn është përgjigje ndaj letrës së kryetarit të Federatës evropiane të gazetarëve, Mogens Bjerregaard, i cili kah fundi i shkurtit, me kërkesë të SHGM, insistonte që Komisioni evropian të angazhohet më tepër për reformat e mediave në Maqedoni, si një parakusht për organizim të zgjedhje të lira dhe të besueshme“, njoftojnë nga SHGM./Telegrafi