LAJMI I FUNDIT:

Shënohet rritje e çmimeve të prodhimit

Shënohet rritje e çmimeve të prodhimit
Foto: Ilustrim

Krahasuar tremujorin e tretë 2018 me atë të vitit, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 2.3 për qind, thuhet në raportin “Indeksi i Çmimeve të Prodhimit, tremujori i tretë 2018”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Ky indeks në këtë tremujor u rrit me 1 për qind.


“Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë në tremujorin e tretë 2018 është më i lartë për 1 për qind krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te prodhimi i prodhimeve minerale jometalike me 6.9 për qind, prodhimi i pijeve me 4.2 për qind, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t. me 4.1 për qind, prodhimi i mobileve me 2.8 për qind, prodhimi i drurit dhe i prodhimeve të drurit dhe të tapës, përveç mobileve me 1.7 për qind, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 1.6 për qind, përpunimi i prodhimeve ushqimore me 1.3 për qind, prodhimi i letrës dhe prodhimeve prej saj me 1.2 për qind, prodhimi i lëkurës dhe prodhimeve prej saj me 0.9 për qind dhe prodhimet e gomës dhe të plastikës me 0.2 për qind”, thuhet të raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te: nxjerrja e xehes së metalit me 13.3 për qind, prodhimi i pajisjeve elektrike me 3.4 për qind, prodhimet e fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve me 2.8 për qind, prodhimet kimike me 2.7 për qind, prodhimi i metaleve me 1.6 për qind dhe xeherorët dhe guroret e tjera me 0.1 për qind.

Ndërsa, krahasuar tremujorin e tretë 2018 me atë të vitit paraprak, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 2.3 për qind.

“Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te prodhimi i metaleve me 14.6 për qind, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t. me 7.3 për qind, prodhimi i pajisjeve elektrike me 6 për qind, prodhimet minerale jometalike me 5.5 për qind, prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë rimorkiove me 3.3 për qind, prodhimi i drurit dhe i prodhimet pre tij dhe të tapës, përveç mobilieve me 2.9 për qind, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 2.5 për qind, prodhimi i mobileve me 2.2 për qind, prodhimi i letrës dhe prodhimeve prej saj me 1.4 për qind, përpunimi i prodhimeve ushqimore me 1.3 për qind, prodhimi i pijeve me 1.3 për qind, grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë me 0.8 për qind dhe prodhimet e gomës dhe të plastikës me 0.3 për qind”, vijon raporti.

Ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te: nxjerrja e xehes së metalit me 11.1 për qind, prodhimet kimike me 3.1 për qind, prodhimi i lëkurës dhe prodhimeve prej saj me 1.9 për qind, prodhimet e fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve me 1.8 për qind dhe xeherorët dhe guroret e tjera 0.1 për qind. /Telegrafi/