LAJMI I FUNDIT:

Shënohet Java Ndërkombëtare e Parasë në Kosovë

Shënohet Java Ndërkombëtare e Parasë në Kosovë

Shoqata e Bankave të Kosovës duke filluar nga sot, për një javë, organizon mbajtjen e Javës Ndërkombëtare e Parasë për vitin 2022.

Kjo ngjarje do të shënohet në tre qytete të Kosovës dhe do mbahen aktivitete të ndryshme, ku nxënësit e shkollave fillore do të garojnë në lojën “Penny Drop Game”; do të shpërndahen pako me materiale edukative për paranë; dhe argëtim me maskotat e aktivitetit si dhe arka të kursimit për fëmijë të shkollave fillore në qytetin e Prishtinës, Prizrenit dhe të Mitrovicës.


Java Ndërkombëtare e Parasë në Kosovë është pjesë e një fushate botërore të vetëdijesimit për paranë dhe edukimin financiar në përgjithësi. Vende nga anembanë botës marrin pjesë në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e edukimit financiar dhe gjithëpërfshirjes financiare për fëmijët dhe të rinjtë. Kjo fushatë edukative organizohet në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Edukimit Financiar të OECD-së që udhëheq koordinimin e përgjithshëm të Javës.

Kjo lëvizje ndërkombëtare synon të sigurojë edukim financiar dhe përfshirje financiare për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë në mbarë botën në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të kenë aftësinë të menaxhojnë më mirë financat personale si një parakusht për një mirëqenie më të lartë.

Shoqata e Bankave shënon çdo vit Javën Ndërkombëtare të Parasë në kuadër të agjendës së përgjegjësisë sociale korporative dhe gjithëpërfshirjen financiare në Kosovë. /Telegrafi/