LAJMI I FUNDIT:

Shenjat e depresionit pas lindjes

Shenjat e depresionit pas lindjes
Foto: Getty

Më poshtë i keni disa nga shenjat e depresionit pas lindjes (DPL), të cilat nuk duhen neglizhuar. Fillimisht, nëna duhet ta pranojë që vuan nga DPL dhe më pas të kërkojë ndihmë nga familja. Është detyrë e familjarëve t’i qëndrojnë pranë, ta ndihmojnë dhe ta këshillojnë nënën e re gjatë kësaj periudhe me ndryshime të mëdha.

Shqetësim. Nëna ndjehet e vogël, e palumtur dhe e përçmuar gjatë pjesës më të madhe të ditës, ose gjatë gjithë kohës. Ajo mund të ndjeheni e keqe në pjesë të caktuara të ditës, si në mëngjes ose në mbrëmje.

Nervozizëm. Nëna mund të nevrikoset me fëmijët e tjerë, ndoshta edhe me foshnjën, por shumë më shpesh me partnerin. Ai mund të mos kuptojë mirë se çfarë po ndodh dhe cilat janë përjetimet e saj.

Lodhje. Të gjithë nënat e reja ndjehen të lodhura, por depresioni mund ta bëjë nënën të ndjehet fizikisht e sëmurë.

Pagjumësi. Megjithëse nëna është shumë e lodhur, nuk mund të flejë. Ajo mund të vijë vërdallë nëpër shtëpi, duke dëshiruar të flejë.

Mungesë oreksi. Nëna humbet oreksin dhe harron të hajë, gjë e cila mund ta bëjë nervoze dhe të rënë moralisht. Disa nëna të reja mund të ndjehen mirë kur hanë, por shpejt fillojnë të ndjehen keq, sepse po shtojnë në peshë.

Paaftësi për t’u gëzuar. Ajo kupton se nuk mund të jetë e gëzuar dhe ka humbur interesin për gjithçka që e rrethon.

S’ka dëshirë për intimitet. Partneri mund të dëshirojë përsëri rehatinë dhe intimitetin e seksit – por nëna akoma nuk shfaq interes. Pa dyshim, që ka dhe arsye të tjera që çojnë në humbjen e interesit për seksin pas lindjes së fëmijës – mund të jetë i dhimbshëm, nëna mund të jetë shumë e lodhur, ose thjesht po përpiqet të përshtatet me situatën e re – por DPL largon çdo dëshirë ose entuziazëm. Nëse partneri nuk e kupton këtë, ai mund të ndihet i refuzuar.

Paaftësi për t’i bërë ballë situatave. DPL i krijon nënës ndjesinë se nuk ka kohë, nuk mund të bëjë një gjë të mirë dhe se nuk ka shpresë për të ndryshuar. Për të është shumë e vështirë të organizojë ditën me fëmijën e saj.

Ndjenje faji. Depresioni ndryshon mënyrën e të menduarit dhe bën që nëna t’i shikojë gjërat shumë negativisht. Ajo mund të ndjehet fajtore, e padobishme ose përgjegjëse, vetëm e vetëm se ndihet kështu.

Ankth. Shumë nëna të reja shqetësohen për shëndetin e fëmijës së tyre, por DPL e ekzagjeron këtë shqetësim. Nëna është në merak se mos e humb fëmijën gjatë një moskujdesi, ose “vdekjes në shtrat”, shqetësohet sesa do të shtojë në peshë, pse fëmija është duke qarë apo pse është shumë i qetë, etj.

Mjekët, infermieret, psikologët, punonjësit socialë dhe psikoterapistët janë profesionistët ku nëna mund të drejtohet për të kërkuar ndihmë. Nëse nëna nuk merr trajtimin e duhur, DPL mund të zgjasë shumë në kohë. Ajo duhet të ketë parasysh se DPL lodh atë dhe njerëzit me të cilët bashkëvepron. DPL keqëson marrëdhëniet mes nënës, fëmijës dhe babait.