Një koalicion prej 83 ekspertësh ndërkombëtarë të shëndetit publik, varësisë nga nikotina dhe kontrolli i duhanit i ka dërguar një letër të hapur Presidentes së Komisionit Evropian dhe Komisionerëve Evropianë, ku paralajmërojnë kundër një plani të propozuar për të vendosur taksa të reja mbi produktet alternative me risk të reduktuar, si cigaret elektronike, produktet e duhanit me ngrohje dhe qeskat e nikotinës.

E nderuara Presidente e Komisionit Evropian,


Ne, ekspertët e nënshkruar në fushën e shëndetit publik, varësisë nga nikotina dhe kontrollit të duhanit, ju shkruajmë të shqetësuar për rishikimin e Direktivës mbi Akcizat e Duhanit, që pritet të vendosë taksa të reja mbi produktet e nikotinës me risk të reduktuar.

Politikat e shëndetit publik duhet të mbështeten tek provat më të mira shkencore. Prandaj, është shqetësuese që komunikimet e fundit publike të BE-së, të cilat pretendojnë se produktet e nikotinës, pa djegie, paraqesin rreziqe të ngjashme me cigaret tradicionale, bien ndesh me provat më të forta shkencore të publikuara deri tani. Ky qëndrim jo vetëm që përbën një distancim të madh nga parimi bazë i shëndetit publik të mbështetur në prova, por gjithashtu dëmton angazhimin e Komisionit Evropian për legjislacion të bazuar në të dhëna dhe për luftën kundër dezinformimit.

Pirja e duhanit mbetet shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme në BE, me pothuajse 700,000 vdekje të parakohshme çdo vit. Ende 26% e qytetarëve (29% mes të rinjve 15–24 vjeç) pinë duhan.

Shumë prova shkencore tregojnë se produktet e nikotinës pa djegie, si cigaret elektronike, produktet e duhanit me ngrohje dhe qeskat e nikotinës, janë dukshëm më pak të dëmshme se cigaret. Këto produkte gjithashtu kanë ndihmuar miliona njerëz të lënë duhanin.

• Në Suedi, ku përdoren gjerësisht snusi dhe qeskat me nikotinë, përdorimi ditor i duhanit është më i ulëti në BE (<5%) dhe incidenca e kancerit është 41% më poshtë se mesatarja e BE-së, edhe pse përdorimi i përgjithshëm i nikotinës është i ngjashëm me atë të BE-së.

• Në Mbretërinë e Bashkuar, ku qeveria inkurajon kalimin nga duhani tek avullimi (vaping), pirja e duhanit ka rënë nga 17% në 12% brenda pesë viteve.

• Në Zelandën e Re, pirja e përditshme e duhanit ra në 7% në vitin 2023/24, nga 16% në 2011/12, ndërsa përdorimi i përditshëm i cigareve elektronike u rrit në 11%.

Rregullimi duhet të udhëhiqet nga shkenca. Besimet ideologjike apo morale nuk duhet të drejtojnë politikat e shëndetit publik dhe nuk duhet të mbizotërojnë mbi faktet dhe synimin për të përmirësuar jetën dhe shëndetin e europianëve. Mbrojtja e të miturve është e rëndësishme, por ajo mund të arrihet përmes zbatimit të duhur të rregullave ekzistuese për reklamimin dhe shitjen, pa penguar objektivat e shëndetit publik për uljen e vdekjeve dhe sëmundjeve të shkaktuara nga duhani.

Duhanpirësit duhet të kenë qasje në alternativa pa djegie. Masat fiskale dhe rregullatore që pengojnë kalimin nga duhani tek alternativat më pak të rrezikshme janë të padrejta dhe mbrojnë tregun e cigareve.

Komisionerë, shëndeti publik në Evropë ndodhet në një udhëkryq: në muajt e ardhshëm, Komisioni Evropian synon të avancojë Direktivën e Produkteve të Duhanit dhe Direktivën e Akcizave të Duhanit. Vendosja e një “sulmi fiskal” mbi produktet që potencialisht shpëtojnë jetë do t’i mbajë duhanpirësit tek cigaret, do të dëmtojë shëndetin publik dhe do të vendosë një precedent negativ për vende të tjera (veçanërisht ato me të ardhura të ulëta dhe të mesme) dhe për rajone të tjera në botë.

Po, Shqipëria?

Shqipëria, si vend aspirant për në Bashkimin Europian, prej më shumë se gjashtë vitesh ka përqafuar produktet alternative pa tym si një zgjidhje më pak të dëmshme për konsumatorët e duhanit. Ky orientim drejt alternativave ka sjellë një ndikim të ndjeshëm jo vetëm për vetë konsumatorët, por edhe për shëndetin publik.

Thelbësore mbetet trinomi shëndet publik – siguri – impakt ekonomik, që nënkupton se përdorimi i produkteve alternative kontribuon në uljen e kostove për shëndetin publik, duke reduktuar rastet e sëmundjeve të lidhura me duhanin.

Një shembull vjen nga Kosova: nëse do të rregullonte tregun e produkteve alternative, do t’u ofronte konsumatorëve një produkt më të sigurt, duke shmangur njëkohësisht tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, është aspekti ekonomik.

Rregullimi dhe taksimi i këtyre produkteve siguron të ardhura për buxhetin e shtetit. Megjithatë, nëse ato përfshihen në planin fiskal të propozuar, ekziston rreziku të kthehemi pas, duke rritur kostot për konsumatorët dhe duke favorizuar sërish tregun e zi.