Yevgeny Prigozhin “nxehet” përsëri.

Këtë herë ai u nxit nga parlamenti francez që e ka cilësuar grupin e tij të mercenarëve Wagner si një organizatë terroriste – dhe të mërkurën ai kërcënoi drejtpërdrejt presidentin francez Emmanuel Macron.


Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga gazetarët rusë, Prigozhin pohoi se Wagner “po shpëtonte njerëzit në Afrikën Qendrore” - ku Wagner ka fituar një bazë të fortë dhe “zvogëluar ndikimin” e pranisë së Francës në rajon.

"... Ne mund t'ia nxjerrim dhëmbët Macronit me pinca dhe, në përgjithësi, dhëmbët e të gjithëve që flasin fëlliqësira (rreth Wagner)”, citohet të ketë thënë ai, shkruan Politico, përcjell Telegrafi.

Të martën, ligjvënësit francezë i bënë thirrje BE-së të regjistrojë Wagner-in në listën e grupeve terroriste të bllokut dhe të zbatojë më shumë mjete ligjore për ta bërë të pamundur aktivitetin financiar të Wagner-it në Evropë.

Ndryshe, BE sanksionoi vetë Prigozhin në prill të vitit të kaluar.

"Ata nuk janë thjesht mercenarë, ka një vullnet për të masakruar civilët për përfitime politike ... për të destabilizuar institucionet", ka thënë për Politico, Benjamin Haddad, një deputet që i përket partisë së Macron, përpara votimit të së martës.

Mercenarët e Wagner-it kanë marrë një rol aktiv në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Kremlini, pavarësisht nga konflikti i vazhdueshëm politik publik midis Prigozhin dhe zyrtarëve rusë të mbrojtjes.

Grupi paraushtarak është i përfshirë kryesisht në betejën e Bakhmutit, e cila është kthyer në një ngërç midis forcave ruse dhe ukrainase.

Wagner dyshohet se ka regjistruar video të shumta që tregojnë torturimin dhe madje prerjen e kokave të robërve të luftës.

Në prill, dy ish-komandantë dhe ish-të dënuar të Wagner-it pranuan se kishin vrarë civilë dhe fëmijë ukrainas me urdhër të Prigozhin.

Ndërkohë në vitin 2022, mercenarët regjistruan një video në të cilën dyshohet se ekzekutonin ushtarin e tyre me çekan, pasi e akuzonin për bashkëpunim me forcat ukrainase. /Telegrafi/