SHBA mirëpret heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane në Kosovë: Një pikë kthese në partneritetin ekonomik

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka vlerësuar vendimin e Kosovës për heqjen e tarifës 10 për qind ndaj produkteve amerikane, duke e cilësuar atë si një hap të madh drejt forcimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
“Kjo është një arritje e madhe dhe një pikë kthese në partneritetin tonë. Vendimi i Kosovës për të eliminuar tarifat doganore pasqyron vizionin tonë të përbashkët për më shumë tregti, investime dhe mirëqenie mes dy kombeve tona”, tha Prattipati gjatë një diskutimi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ajo shtoi se heqja e tarifave e ka bërë më të lehtë qasjen e qytetarëve të Kosovës në produktet amerikane, ndërsa për bizneset ka hapur mundësi të reja për investime e bashkëpunim tregtar.
Në panel mori pjesë edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se ky hap duhet të shërbejë si bazë për arritjen e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Ky vendim e forcon partneritetin strategjik që kemi me SHBA-në, duke hapur rrugën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve. Përveç kësaj, është një testament i marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi me partnerin tonë kryesor”, tha Murati.
Ndërkohë, drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, theksoi se masat e ngjashme në të kaluarën, si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, kanë sjellë rritje të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare dhe se pritet një efekt i ngjashëm edhe me këtë vendim.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, u shpreh se heqja e tarifave pritet të nxisë prodhimin dhe investimet amerikane në Kosovë, duke thelluar më tej partneritetin ekonomik mes dy vendeve.


































