Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ka reaguar në lidhje me një dokument të shtatorit të vitit 2010 të publikuar nga revista gjermane ‘Der Spiegel’, i cili nënvizon faktin se Agjencia për Siguri Kombëtare e SHBA-së ka përgjuar dhe mbledhur komunikimet nga zyrat e BE-së në Bruksel, Uashington dhe në Kombet e Bashkuara.

Spiunazhi përfshin përgjimet në rrjetet e brendshme kompjuterike të BE-së, të cilat i kanë ofruar qasje Agjencisë për Siguri Kombëtare në e-mail dhe dokumente.


Ndërkohë, ende nuk ka një deklaratë zyrtare të SHBA të Amerikës në lidhje me lajmin e cila mund të ‘cënojë’ marrëdhëniet mes palëve.

Në anën tjetër, ministrja gjermane e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger reagoi ashpër mbi njoftimet e dhëna nga gazeta gjermane ''Der Spiegel'' lidhur me dyshimet për spiunazh të agjencisë amerikane, NSA në Gjermani.
''Nëse njoftimet konfirmohen, kjo histori të kujton marrëdhëniet mes armiqve gjatë Luftës së Ftohtë'', deklaroi Sabine Leutheusser-Schnarrenberger.

''Është e pakonceptueshme që miqtë tanë amerikanë i konsiderojnë evropianët armiq. SHBA duhet të sqarojë njoftimet nëse përgjimet në Gjermani dhe Evropë janë të vërteta apo jo. Është e papranueshme që amerikanët të spiunojnë në këtë mënyrë evropianët'', theksoi ajo. /Telegrafi/