SHBA i kërkoi Ukrainës të shmangte sulmet pranë Moskës gjatë vizitës së shefit të CIA-s

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Ukrainës të mos kryente sulme ajrore pranë Moskës, Shën Petersburgut dhe disa zonave veriore të Rusisë gjatë ditëve kur drejt kryeqytetit rus udhëtonte drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, raportoi Reuters duke cituar një burim.
Ratcliffe zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Moskë, në atë që ishte udhëtimi i tij i parë në kryeqytetin rus që prej marrjes së detyrës si drejtues i CIA-s, transmeton Telegrafi.
Sipas burimit të cituar nga Reuters, Uashingtoni i kishte kërkuar Kievit që të shmangte sulmet ajrore të hënën, të martën dhe të mërkurën, pasi një aeroplan që transportonte një zyrtar të lartë amerikan do të fluturonte drejt Moskës.
Vizita e Ratcliffe në Moskë nuk është konfirmuar zyrtarisht as nga Uashingtoni dhe as nga Moska, ndërsa ende nuk dihet me kë është takuar apo cili ka qenë qëllimi i misionit.
Zhvillimi vjen në një periudhë të tensionuar të luftës Rusi-Ukrainë, ndërsa sulmet me dronë ukrainas brenda territorit rus janë intensifikuar dhe Moska vazhdon të jetë një prej objektivave më të ndjeshme strategjike.
Nëse konfirmohet, kërkesa amerikane do të tregonte gjithashtu shqetësimin e Uashingtonit për sigurinë e një zyrtari të lartë amerikan gjatë një vizite të rrallë në territorin rus. /Telegrafi/






































