LAJMI I FUNDIT:

SHBA bllokon 1200 dhoma hoteli në Madrid për Samitin e NATO-s

SHBA bllokon 1200 dhoma hoteli në Madrid për Samitin e NATO-s

Administrata amerikane ka bllokuar gjithsej 1200 dhoma në hotele të ndryshme në Madrid për të akomoduar presidentin e saj, Joe Biden dhe njerëzit që do ta shoqërojnë atë gjatë Samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Takimi do të zhvillohet në datat 28, 29 dhe 30 qershor në terrenin e panairit IFEMA, transmeton Telegrafi.

Edhe pse emri i hoteleve të zgjedhur nuk dihet, dihet se statusi i tyre nuk bie nën katër yje, raporton marca.

Dhe Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti Biden do të arrijë në kryeqytetin spanjoll më 28 qershor nga Gjermania, ku do të takohet fillimisht me liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë “G7” dhe nuk dihet se sa ditë do të qëndrojë në qytet.

Në takim pritet të marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të 30 vendeve anëtare, si dhe shtete të tjera partnere të Aleancës, si Japonia apo Australia; sekretari i përgjithshëm i organizatës, Jens Stoltenberg, dhe personalitete të tjera të rëndësishme si presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michael, apo presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që kryeqyteti spanjoll pret një Samit të NATO-s. Qyteti spanjoll tashmë bëri të njëjtën gjë në muajin korrik të vitit 1997, 25 vjet më parë, kur Aleanca filloi të mendonte për pranimin e mundshëm të Hungarisë, Polonisë dhe Republikës Çeke. /Telegrafi/