LAJMI I FUNDIT:

SHBA akuzojnë Iranin për sulme ndaj cisternave të naftës

SHBA akuzojnë Iranin për sulme ndaj cisternave të naftës

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton tha të mërkurën se “pothuajse me siguri”, Irani ishte përgjegjës për sulmet e kryera më herët gjatë këtij muaji, ndaj cisternave të naftës në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Duke folur për gazetarët gjatë një vizite në Abu Dabi rreth atyre që i cilësoi bisedime për “çështje të rëndësishme e aktuale mbi sigurinë rajonale”, zoti Bolton nuk dha ndonjë dëshmi për të mbështetur akuzën e tij, por tha se cisternat u hodhën në erë me mina detare.


Irani e ka mohuar përgjegjësinë për sulmet. Të mërkurën, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Abbas Mousavi i hodhi poshtë akuzat e zotit Bolton duke i cilësuar si qesharake.

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar javët e fundit pas vendimit të Presidentit Donald Trump për të ndaluar tërësisht eksportet iraniane të naftës si dhe pas rritjes së pranisë së ushtrisë amerikane në Gjirin Persik si përgjigje ndaj asaj që zoti Trump thotë se janë kërcënime që vijnë nga Irani.

Ministri i Jashtëm i Iranit Mohammad Javad Zarif akuzoi zotin Bolton si dhe zyrtarë të tjerë se “po nxisin luftë” dhe tha se administrata Trump me rivendosjen e sanksioneve kundër Iranit, po kryen “terrorizëm ekonomik”. /voa/