Falë paraqitjeve të shkëlqyera të dy futbollistëve me prejardhje nga Kosova, Xherdan Shaqiri dhe Albian Ajeti, Baseli është shumë pranë titullit kampion në Superligën e Zvicrës.

Dyshja Shaqiri–Ajeti udhëhoqën skuadrën drejt një fitoreje bindëse 5-1 në derbin ndaj Servettes, të zhvilluar të dielën në kuadër të play-offit.


Në kampionatin zviceran kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund, ndërsa me këtë triumf, Baseli ka bërë një hap të madh drejt titullit të parë që prej vitit 2017.

Shaqiri zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të pas asistimit të Ajetit, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë, rolet u ndërruan — Shaqiri asistoi për golin e Ajetit.

Në minutën e 38-të, Ajeti realizoi edhe golin e dytë personal, duke e mbyllur pjesën e parë 3-0 për Baselin.

Në pjesën e dytë, Servette ngushtoi shifrat në minutën e 55-të, por Benie Traore riktheu epërsinë e thellë për Baselin pas një tjetër asistimi të Shaqirit.

Fitoren e thellë 5-1 e vulosi Nicolas Vouilloz, sërish me asistim nga Shaqiri — asistimi i tretë i tij në këtë takim.

Shaqiri dhe Leon Avdullahu luajtën tërë ndeshjen, ndërsa Ajeti u zëvendësua në minutën e 68-të.

Baseli kryeson renditjen me 64 pikë, nëntë më shumë se Servette në vendin e dytë, dhe mund të sigurojë matematikisht titullin kampion javën e ardhshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app