Dy ditë pas publikimit të himnit të Kampionatit të sivjetmë Botëror, reagimet nuk zbuten dhe duket se fansat nuk janë të kënaqur dhe kanë bërë thirrje për “ndihmë” nga Shakira, këngët e të cilës shënuan edicionet e mëparshme të turneve të mëdha.

Shumë adhuruesve të futbollit duket se nuk u bën përshtypje kënga e interpretuar nga Nicki Minaj, Maluma dhe Myriam Fares, e titulluar “Tukoh Taka” që është himni kryesor i turneut të futbollit, ‘Katar 2022’.


Në rrjetet sociale, përdoruesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, pavarësisht tonit gazmor të këngës dhe kombinimit të teksteve në spanjisht, anglisht dhe arabisht.

Në TikTok, hashtagu ‘TukohTaka’ është i mbushur me video të përdoruesve të pakënaqur që ndajnë mendimet e tyre.

Shumë prej tyre po e thërrasin Shakiran për “ndihmë”, duke pasur parasysh se këngët e saj kanë shënuar edicionet e mëparshme të kampionateve botërore. Kënga e saj “Waka Waka” ishte himni i kampionatit në Afrikën e Jugut, ndërsa këngëtarja performoi edhe në Gjermani në vitin 2006 dhe në Brazil në vitin 2014.

https://www.dailymotion.com/video/x2iopcv

"Shakira ne do të fillojmë një fushatë GoFundMe për gjyqin tënd të evazionit fiskal, thjesht mos lejoni që ky version Walmart i Tokyo Drift të jetë kënga e Kupës së Botës” – shprehet një fans në një video virale të TikTok.

“Lindja e Mesme kishte 10 vjet kohë për të bërë një këngë të mrekullueshme për Kampionatin Botëror dhe ky është rezultati” – ka shkruar një tjetër përdorues i pakënaqur.

“Shakira më mirë të kthejë ijët në Kampionatin Botëror, sepse ne nuk mund ta dëgjojmë këtë”; “Kërkoj falje në emër të Lindjes së Mesme”; “Kënga tingëllon si kur tezja ime këndon në dasmë” – deklaruan shumë fansa tjerë të pakënaqur.

Megjithatë, përkundër kritikave, kënga ka kaluar shifrën prej dhjetë milionë shikimesh në YouTube. /Telegrafi/