Shaip Kamberi, deputet nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, ka njoftuar se ka dorëzuar në Qeverinë e Serbisë iniciativë për ta pajisur Komunën e Preshevës me tabela të veta të regjistrimit të automjeteve.

Ai ka njoftuar se në Komunën e Preshevës janë të regjistruar 12,387 automjete, ndërsa Komuna e Preshevës ka 33,449 banorë rezidentë dhe gjithsej 59,024 banorë kur i shtohen edhe banorët jorezidentë.


Me këtë numër të banorëve dhe me këtë numër të veturave të regjistruara, ka thënë deputeti Kamberi, është plotësisht e arsyeshme dhe e domosdoshme që Presheva të ketë tabelat e veta të regjistrimit.

“Dhe jo të mbajë ato të qytetit të Vranjës. Presheva meriton trajtim të barabartë dhe simbolet e saj, përfshirë edhe tabelat e regjistrimit, të jenë të pranishme ashtu si në çdo komunë tjetër të Serbisë”- përfundon njoftimi i publikuar në profilin e tij në Facebook më 05.09.2025.