LAJMI I FUNDIT:

Serwer: Obama e McCain njohin Kosovën e pavarur

Serwer: Obama e McCain njohin Kosovën e pavarur

Analisti i shquar nga Instituti Amerikan i Paqes, Daniel Serwer, në një intervistë për Zërin e Amerikës – edicioni në gjuhën serbe - ka vlerësuar se është për keqardhje që pjesa dërmuese e establishmentit politik të Serbisë ka zgjedhur të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

“Është për keqardhje që pjesa dërmuese e establishmentit politik serb ka zgjedhur të mos e njohë pavarësinë e Kosovës – gjë që gjithsesi do të jetë pengesë në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Serwer duke u përgjigjur në pyetjen rreth deklaratës së presidentit serb Tadiq se – “Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe se ai angazhohet për vazhdimin e bisedimeve”.

“Mendoj se negociatat ose bisedimet në mes të Beogradit dhe Prishtinës janë ide e mirë mirëpo, natyrisht, Prishtina do të kërkojë atë lloj të bisedimeve që bazohet në faktin se Kosova është shtet i pavarur. Gjithsesi, bisedimet janë të nevojshme ngase Beogradi dhe Prishtina duhet të zgjidhin shumë çështje të tjera – pasi që jo çdo gjë është zgjidhur me Planin e Ahtisaarit”.


Ndërkaq lidhur me angazhimin serb, për një lloj të ndarjes “funksionale” të Kosovës, plan ky për të cilin flitet mjaft në kohën e fundit, Serwer ka thënë: “Shpesh e dëgjoj shprehjen ‘ndarje funksionale’, mirëpo kjo për mua paraqet ndarjen etnike të Kosovës”.

“Mendoj se kjo gjë do të mund të sillte deri te jostabiliteti në jug të Serbisë, ndoshta edhe në Vojvodinë. Serbia i ka marrë të gjitha që ka mundur të shpresonte nga Plani i Ahtisaarit dhe mendoj se duhet të hiqet dorë nga kërkesat e mëtejme për koncesione”.

I pyetur ndërkaq të komentojë pozicionet e kandidatëve presidencialë në SHBA, Barack Obama dhe John McCain, kundruall Serbisë dhe Kosovës, Serwer ka thënë: “Që të dy kandidatët do të marrin pozicionin të cilin Washingtoni tashmë e ka marrë – dhe ky është, njohja e pavarësisë së Kosovës”.

Po ashtu Serwer ka potencuar se të dy këta kandidatë do të angazhohen për përmirësimin e raporteve me Serbinë, mirëpo sipas tij, çështja është se çfarë do të jetë qëndrimi i Serbisë: “A do të vazhdojë (Serbia) të djeg ambasadën amerikane dhe vendkalimet kufitare të OKB-së në Kosovë, apo do të pajtohet me gjendjen faktike dhe do të kryejë reformën në shërbimin e saj të sigurisë, që do të thotë arrestimin sa më parë të Karaxhiqit e Mlladiqit dhe dorëzimi i tyre në Hagë. Këto do të jenë indikacionet të orientimit të duhur të Serbisë”, ka përfunduar Serwer. /TELEGRAFI/