LAJMI I FUNDIT:

Serbia vendos masa reciprociteti ndaj Malit të Zi, aeroplanit të ‘Montenegro Airlines’ i ndalohet aterrimi në aeroportin e Beogradit

Serbia vendos masa reciprociteti ndaj Malit të Zi, aeroplanit të ‘Montenegro Airlines’ i ndalohet aterrimi në aeroportin e Beogradit

Drejtoria e Aviacionit Civil e Serbisë, në bazë të reciprocitetit, miratoi një masë që ndalon uljen e aeroplanëve të “Montenegro Airlines” në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit.

Kështu së paku shkruan mediumi serb “Blic.rs”, duke u bazuar në burime jozyrtare, përcjell Telegrafi.


Ndryshe, një veprim i tillë vjen pasi që më parë, Qeveria e Malit të Zi mori një vendim për hapjen e kufijve të vendit të saj për nëntë vende, ndër të cilat nuk ishte Serbia.

Shpjegimi i këtij vendimi, qytetarëve të Serbisë u ndalohet të hyjnë në Mal të Zi.

Ndërkohë, ministrja e Transportit e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, kishte thënë më parë se vendimi i Malit të Zi për të mos hapur kufijtë me Serbinë është në kundërshtim me parimet e lirisë së lëvizjes, mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian, dhe se nuk u kontribuon marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

Të hënën, Qeveria e Malit të Zi ka bërë të ditur se me cilat vende do t’i rihapë kufijtë, të cilët janë mbyllur për të frenuar përhapjen e coronavirusit.

Në mesin e tyre janë: Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia.

Me këto vende është thënë se kufijtë do të rihapen në ditët e para të qershorit.

Sipas autoriteteve malazeze, ato i kanë plotësuar kushtet e duhura epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, përkatësisht kanë deri në 25 të infektuar me coronavirus në 100,000 banorë.

Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi janë tensionuar qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kuvendi malazez ka miratuar një ligj për liritë fetare, që thuhet se konteston pronësinë serbe mbi disa kisha dhe territore në Mal të Zi. /Telegrafi/