Serbia liron ish-ushtarin e UÇK-së, Mit’hat Llozani

Ish-ushtari i UÇK-së, Mit’hat Llozani, i arrestuar rreth tre muaj më parë nga autoritetet serbe, është liruar sot nga burgu në Beograd.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook.
“Lajm i madh: Lirohet Mit’hat Llozani nga burgu në Beograd. Vazhdoj me punu për qytetarin e Kosovës”, ka shkruar Koci.
Llozani ishte arrestuar më 5 shkurt gjatë kalimit transit në Serbia.
Rastet e të arrestuarve në Serbi
Arbnor Spahiu - i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.
Lulzim Halili - i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.
Sasha Gjorgjeviq - i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.
Behar Preniqi - i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.
Hazir Haziri - i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; u lirua në janar 2026.
Avni Qenaj - i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.
Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq - pjesa veriore e Kosovës - më 1 nëntor.
Më 14 gusht, autoritetet serbe njoftuaan se i ndaluan edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata u liruan.




















































