Serbia kërkon t’i ndalohen miqësoret Kosovës

FSS i ka dërguar një letër proteste presidentit të FIFA-së, Sepp Blatter. Serbët këmbëngulin se Federata e Futbollit e Kosovës nuk i është përmbajtur rregullave të caktuar nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore.
Shtëpia e futbollit botëror ia kishte lejuar Kosovës zhvillimin e miqësoreve, por pa të drejtë që të përdor simbolet shtetërore, himnin dhe simbolet tjera.
“Është e qartë se kemi prova që lojtarët vendës mbanin në fanellë emblemën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo është befasuese, duke e pasur parasysh se drejtuesit e ndeshjes është dashur ta vërenin këtë, në bazë të vendimit të marrë nga FIFA”, thuhet në ankesën e FSS-së, transmeton ‘rtk’.
“Ndër të tjera, loja është përcjellë nga vëzhguesi special i FIFA-s, i cili nuk ka reaguar po ashtu. Federata Serbe kërkon nisjen e procedurës disiplinore ndaj të gjithë zyrtarëve të lojës”, shkruhet në reagim.
Drejtuesit e futbollit serbë presin përgjigje nga FIFA, nga e cila pret sanksionime për shkak të mos respektimit të modaliteteve.
“FSS distancohet nga vendimet e Komisionit për Çështje Urgjente dhe FS kërkon revokimin apo anulimin e vendimit të miqësoreve të Kosovës”, përfundon reagimi i FSS-së. /KP/Telegrafi/




















































