LAJMI I FUNDIT:

Serbia heq të gjitha masat anti-covid për hyrje në këtë vend

Serbia heq të gjitha masat anti-covid për hyrje në këtë vend

Nga sot janë hequr të gjitha masat e kontrollit dhe kufizimet për hyrjen e personave në Republikën e Serbisë, të cilat ishin vendosur për shkak të Covid-19, si për shtetasit e huaj ashtu edhe për ata vendas, ka njoftuar Qeveria e Serbisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, që nga mesnata, shtetasve serbë, por edhe të huaj, nuk do t’u kërkohet të kenë test negativ PCR, test të shpejtë të antigjenit, vërtetim të sëmundjes ose certifikatë vaksinimi kur të hyjnë në Serbi, pavarësisht se nga cili vend vijnë.


“Vendimi për hyrjen e lirë të shtetasve serbë dhe shtetasve të huaj në vend është marrë në bazë të situatës aktuale epidemiologjike në Serbi dhe është në përputhje me vendimet e shumicës së vendeve në Evropë dhe rajon”, citohet të jetë thënë në një deklaratë.

Kujtojmë se nga 1 maji janë hequr të gjitha masat për hyrje në Kroaci ndërkohë që edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur t’i shfuqizojë të gjitha masat e mbetura anti-covid, me përjashtim të mbajtjes së detyrueshme të maskave në spitale, barnatore, transport publik dhe qendrat për kujdesin e të moshuarve dhe personave me nevoja të veçanta. /Telegrafi/