LAJMI I FUNDIT:

Serbëve u dështon “Vidovdani” në Gazimestan, mblidhen në Graçanicë

Serbëve u dështon “Vidovdani” në Gazimestan, mblidhen në Graçanicë

Këtë vit, ndryshe nga e kaluara, serbët nuk do të mblidhen në Gazimestan për organizimin e “Vidodvanit”. Nga ta, “Beteja e Kosovës” do të festohet në Graçanicë, si shkak i tensioneve në veri të vendit. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se persona të dyshimtë mund të hyjnë në Kosovë përgjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të marrin pjesë në këtë manifestim.

Gazimestani nuk do të pres këtë vit serbë në 634 vjetorin e Betejës së Kosovës. Manifestimi tradicional, këtë vit është zhvendosur në Graçanicë.


Shkak është bërë situata e sigurisë në veriun e Kosovës. Për këtë organizim, çdo herë janë ngritur dyshime se në Kosovë kanë hyrë persona të dyshimtë. Këtë nuk e përjashton si mundësi as për këtë 28 qershor, eksperti i sigurisë Bedri Elezi.

“Ne mendojmë që nuk është relevante vendi se ku do të mbahet ky manifestim, sa i përket pjesëmarrjes së personave apo grupeve të rrezikshme… Unë mendoj se ekziston rreziku dhe se këto grupe apo persona, pavarësisht vendit se ku do të mbahet ata do të mund të futen”, ka thënë Bedri Elezi – ekspert i sigurisë.

Elezi thotë se prandaj Policia e Kosovës duhet t’i ndërmarrë disa masa.

“Duhet të vendosin në dispozicion dronët, me të cilët do të kenë mundësi vëzhgimin e situatës nga lartë dhe gjithashtu të vendosin pika statike në vende të caktuara ku eventualisht mund të organizohen aktivitete të dhunshme”, ka thënë Bedri Elezi – ekspert i sigurisë.

Përkundër situatës së sigurisë, ish zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, nuk beson të ketë tensione.

“Edhe këtë radhë jam i bindur që nuk do të mungojnë provokimet e tilla, por që nuk do të ketë në asnjë mënyrë eskalim të situatës së sigurisë, e kam fjalën për ndonjë ekses madhor që do të ndikonte në ndonjë konflikt ndëretnik. Kjo falë organizimit të shkëlqyeshëm të Policisë së Kosovës të cilin jemi duke e parë”, ka deklaruar Valdet Hoxha.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se serbët do të marrin hapa për lirinë e tyre për Vidovdan më 28 qershor. Vuçiq nuk ka dhënë shumë detaje se për çfarë hapash bëhet fjalë.